Procesi
I akuzuari Selman Heti ndryshoi thëniet në gjykatë: Më detyruan të firmosja një dëshmi

Procesi gjyqësor ndaj 17 anëtarëve të bandave të Durrësit ka hyrë në një fazë delikate. Prokuroria ka thirrur në gjykatë personat që mund të hedhin dritë mbi ngjarjet kriminale të kësaj bande. Krahas dëshmitarëve të saj, organi i akuzës duhet të “mbrohet” edhe nga 20 dëshmitarët e thirrur në këtë proces nga vetë Lulzim Berisha. Avokati i tij, në fillim të shqyrtimit gjyqësor, kërkoi nga gjykata që të pyeten edhe 20 dëshmitarët e tyre, që sipas avokatit do të vërtetojnë se Lul Berisha është i pafajshëm në këtë proces, që ai e cilësoi të montuar. “Akuzat e ngritura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda janë të pabaza dhe të sajuara, pasi ai është një i dëmtuar në këtë proces dhe jo i pandehur. Prokuroria nuk ka sjellë asnjë provë shkresore apo materiale, por gjithçka është ngritur në bazë të fantazisë së Adriatik Colit, që thuhet se është i penduar”, do të deklaronte avokati i Berishës, duke kërkuar edhe dëshmitarët.


Ndërkohë, ajo çka po vihet re në seancat gjyqësore është edhe ndryshimi i dëshmive. Dy seanca më parë, prokuroria i kërkoi gjykatës që të pyetej i pandehuri Selman Heti. Në momentin që i bënë pyetjet e para, ai u tërhoq përpara akuzës. Nuk pranoi t’u përgjigjej pyetjeve të prokurorit, ndërkohë që me kërkesë të akuzës gjykata pranoi të lexoheshin deklarimet e dhëna prej tij në datë 22 shtator 2006 para prokurorit Behar Dibra. “I pandehur, në bazë të nenit 166 KPP, ju bëjmë me dije se akuza kërkon që ju të pyeteni. është e drejta juaj nëse dëshironi apo jo t’i përgjigjeni”, i bëri me dije gjykata, ndërsa ka marrë si përgjigje nga Heti një “Po”. Në këtë moment kanë ndërhyrë avokatët, duke i thënë njëzëri: “Jo! çfarë thua ti?!”. Këtu reagoi Heti, duke thënë se nuk preferon të pyetet nga akuza. Prokuroria pretendoi në seancë se ndaj të pandehurit Selman Heti u ushtrua presion nga avokatët dhe meqenëse nuk dëshiron të përgjigjet kërkoi të lexohen deklarimet para oficerëve të policisë gjyqësore, si dhe në seancën për masën e sigurimit. Sipas akuzës, janë tri procesverbale, i pari në datë 18 mars 2006 para prokurorit Sokol Malaj, i dyti në datë 7 qershor 2006 para Lorenc Dervishit, oficer i policisë gjyqësore dhe i treti më 22 shtator 2006 para prokurorit Behar Dibra. Avokatët deklaruan se kanë bërë pavlefshmëri të procesverbaleve të hetimit dhe nuk dëshironin që ato të lexoheshin, duke pohuar se deklarimet e Hetit janë marrë nën ndikimin e dhunës psikike. Ndërkohë, ky i pandehur, i cili nuk pranoi të rrëfente disa momente nga një ngjarje kriminale, kishte shpjeguar në prokurori disa herë për funksionimin e bandave të Durrësit. Ai ka deklaruar se ka njohur si pjesëtar të bandës vetëm Adriatik Colin, ku me të ka biseduar për një vrasje. Dëshmia e tij është e filmuar dhe Heti ka pohuar se ka plagosur Lul Berishën dhe dy persona të tjerë e më pas i ishte bllokuar pistoleta. Heti ka shpjeguar të gjitha detajet dhe ka thënë para gjykatës se për vrasjen ka biseduar vetëm me Adriatik Colin dhe pas ngjarjes kishte marrë 25 mijë euro. Pavarësisht këtyre deklarimeve, ai ka mohuar gjithçka para togave të zeza.








#