Lulzim Berisha, i akuzuar si kreu i “Bandës së Durrësit”, rikthehet në qelitë e burgut 313 pas operacionit në apendicit. 

Fatos Mahmutaj

Shkak për transferimin e tij të parakohshëm është bërë fakti se, ai po mbahej në spitalin e burgjeve në godinën ku qëndronte dhe i penduari i bandës, Adriatik Coli, por edhe fakti se në burg kushtet e sigurisë janë më të larta. Lajmi konfirmohet nga burime të burgjeve, sipas të cilëve, pasditen e së premtes, nën masa të rrepta sigurie, Lul Berisha u dërgua në qelinë e tij në paraburgimin 313 në kryeqytet, prej nga ishte larguar mëngjesin e së mërkurës. Largimi para kohe i Berishës nga spitali i burgjeve mendohet se, lidhet me faktin që ai ndodhej në të njëjtin institucion izolimi ku mbahet edhe Adriatik Coli, personi që pretendon se ka qenë anëtarë i bandës së tij dhe që tashmë, ka fituar statusin e të penduarit dhe dëshmitarit të drejtësisë. Gjatë kohës së qëndrimit në spitalin e burgjeve, Berisha është mbajtur i mbyllur në një nga qelitë e katit të parë të institucionit, ndërsa Coli në katin e dytë. Por qëndrimi i tyre në të njëjtin institucion, është parë si rrezik për sigurinë e të dy të paraburgosurve, çka ka bërë që burgjet të rikthenin para kohe në qelitë e paraburgimit 313 Lulëzim Berishën. Ish-kreu i “Bandës së Durrësit” u shoqërua nën masa të rrepta sigurie nga spitali i burgjeve për në qelitë e burgut 313 në kryeqytet. Burime nga ky burg pohojnë se Berishës, për shkak të operacionit i janë krijuar kushte maksimale në qeli, ndërkohë mjeku i burgut po ndjek sipas rekomandimeve të kolegëve të spitalit të burgjeve, mjekimin e të paraburgosurit. Të njëjta burime pohojnë se veç kësaj Lulëzim Berisha vazhdon të ndjekë ritet e agjërimit në qeli, duke qëndruar pa u ushqyer gjatë gjithë ditës. Duke u nisur nga ky fakt atij i dërgohet ushqimi në qeli, në mbrëmje pas perëndimit të diellit dhe në orët e para të mëngjesit. Lulëzim Berisha, i akuzuari si një nga krerët e dy pjesëve kundërshtare të “Bandës së Durrësit” iu nënshtrua një operacioni në apendicit mesditën e së mërkurës. Ai u përcoll me urgjencë për në qendrën spitalore të burgjeve, ku pas konstatimit nga ana e mjekëve të agravimit të apendicitit, ai u transferua nën masa të rrepta sigurie në spitalin numër dy të QSUT-së, ku iu nënshtrua operacionit. Shkak për transferimin e tij në QSUT ishte mungesa e sallave të operacionit në Spitalin e Burgjeve. Pas operacionit që zgjati tre orë Berisha u dërgua në Spitalin e Burgjeve, ku qëndroi dy ditë. Pasi shëndeti i tij u përmirësua ai u transferua sërish në qelitë e paraburgimit 313. Pritet që në ditët e ardhshme Berisha të dërgohet për ekzaminim në Spitalin e Burgjeve ku dhe do heqë penjtë, me të cilët është qepur plaga.


Operacioni, blindoi QSUT-në
TIRANE - Qendra Spitalore Universitare e kryeqytetit u blindua nga forca të shumta sigurie mesditën e së mërkurës, për shkak se në sallën e operacioneve të spitalit numër dy po kryhej një ndërhyrje kirurgjikale ndaj Lul Berishës, të akuzuarit si ish-kapoja i “Bandës së Durrësit”. Operacioni ndaj tij zgjati rreth një orë, por për dy orë të tjera mjekët kryen ekzaminime dhe analiza të tjera. Pas kësaj ai u dërgua në Spitalin e Burgjeve ku qëndroi dy ditë derisa iu përmirësua shëndeti. Po kështu, të gjitha lëvizjet e tij u bënë nën masa të rrepta sigurie të policëve të burgjeve, të cilët u ndihmuan edhe nga kolegët e rendit. Gjatë transportimit të Berishës u përdorën mjete të blinduara të forcave speciale për shkaqe të sigurisë.