Skuadra e Lushnjës kthehet pas dy viteve në Kategorinë Superiore, duke fituar në "playout" 4-2 me 11-metërsha ndaj Kastriotit. Një sukses i merituar ky për "lagunarët", të cilët kanë dominuar në këtë sfidë duke e treguar se e meritojnë të jenë mes skuadrave më të mira të futbollit shqiptar. Me përfundimin e "playout"-it të dytë, janë zyrtarizuar të gjitha ndryshimet në Kategorinë Superiore, ku Kastrioti, Besëlidhja dhe Skënderbeu i kanë dhënë lamtumirën "elitës", për t‘i bërë vend Bylisit, Apolonisë dhe Lushnjës.



Që në fillimin e takimit të djeshëm dukej qartë që Artan Bano kishte udhëzuar futbollistët e Lushnjës të luanin një lojë ofensive. Është menjëherë Bubeqi që shfaqet rrezikshëm para portës kundërshtare, duke lëshuar një predhë drejt portës, por Mustafa grushton. Pritet një reagim i Kastriotit, por krutanët e kanë shumë të vështirë të dalin nga gjysmëfusha e tyre dhe mungojnë aksionet e rrezikshme. Lushnjarët rrezikojnë përsëri me anë të Sefës, i cili bën gjithçka mirë pas një depërtimi spektakolar, por në momentin e fundit gabon, duke e dërguar topin në duart e Mustafës. Kastrioti vuan presionin e skuadrës kundërshtare, ndërsa trajneri Ndreu detyrohet të bëjë dy ndërrime të shpejta, pasi largohen nga fusha e lojës të dëmtuar Caca dhe Turdiu, për t‘i lënë vendin Shametit dhe Brahos. Në fundin e pjesës së parë, lushnjarët pretendojnë për një 11-metërsh, pasi një gjuajtje e Gersi Arbrit ndalet me dorë nga një mbrojtës krutan në zonë, por Janku bën shenjë që loja të vazhdojë. Në fillimin e pjesës së dytë, ekipi lushnjar i afrohet shumë pranë golit, falë një 11-metërshi të fituar nga Elezi, i penguar në zonë nga Brahja. Por gjuajtja e Bubeqit neutralizohet nga Mustafa, i cili mban në lojë skuadrën e tij. Kastrioti përpiqet të reagojë, duke marrë nismën në minutat e fundit të takimit, por mungon finalizimi dhe si rrjedhojë, dy skuadrat i drejtohen shtesave. Por duket qartë që të dyja ekipet kanë shpenzuar shumë energji dhe e kanë të vështirë të krijojnë raste para portave kundërshtare. Si rrjedhojë, 30 minutat kalojnë pa shumë emocione, pasi Bano dhe Ndreu orientojnë lojtarët drejt mbrojtjes, për të shmangur ndonjë gabim që mund të rezultojë fatal. Pas 120 minutave të ethshme, fjala i kalon gjuajtjeve nga pika e bardhë e 11-metërshit. Osuji është gjuajtësi i parë për Kastriotin, por nigeriani gabon përballë ish-skuadrës së tij, duke goditur shtyllën pingule. Më keq bën Braho në goditjen e dytë nga pika e bardhë për skuadrën krutane, gjuajtja e të cilit neutralizohet nga Spaho. Këto dy gabime rezultojnë vendimtare për Kastriotin, ndonëse Brahja dhe Gallo shënojnë në gjuajtjet e tyre. Kjo për faktin se lushnjarët u treguan të përkryer përballë Mustafës, duke shënuar me anë të Xhafës, Cankës, Bubeqit dhe Gersi Arbrit. Rezultati 4-2 dekreton rikthimin e Lushnjës në Superiore dhe fundos përfundimisht Kastriotin, i cili kthehet pas dy vitesh në Kategorinë e Parë. Me konfigurimin e ri të Superiores, janë tri skuadra të Kategorisë së Parë që kanë siguruar ngjitjen, ku përveç Lushnjës, këtë të drejtë e kanë fituar edhe Bylis me Apoloninë.