Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se Ministri Skender Hyseni ka udhëtuar të hënën për në Washington, ku do të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, një ceremoni kjo tradicionale amerikane që kryesohet nga Presidenti i SHBA’së.

“Gjatë qëndrimit treditor në Washington D. C, përpos pjesëmarrjes në Mëngjesin e Lutjeve, Ministri Hyseni do të zhvillojë edhe aktivitete të shumta”, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë kosovare të Punëve të Jashtme.

“Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Ministri Hyseni do të ketë takime me zyrtarë të vendeve të ndryshme që marrin pjesë në këtë ngjarje të madhe tradicionale. Po ashtu, ministri Hyseni do të ketë takime me autoritete amerikane të nivelit të lartë”, vazhdon komunikata.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka njoftuar se Ministri Skender Hyseni do të ketë edhe aktivitete të tjera gjatë qëndrimit në Washington D. C.

“Vizita e Ministrit Hyseni në Washington fillon të martën, në orën 11.00 (sipas orës lokale) me një ligjëratë që ai do të mbajë në Universitetin e njohur amerikan, John Hopkins University, thuhet në komunikatën e MPJ’së.

Ndërkohë, RTK’ja ka njoftuar se gjatë qëndrimit në Washington, Ministri Hyseni do të takohet edhe me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

Gazeta Express ka mësuar se, përveç Ministrit Hyseni, në Mëngjesin e Lutjeve do të marrë pjesë edhe Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dhe Kryetari i Partisë Liberale Serbe të Kosovës, Slobodan Petrovic.

“Megjithëkëtë do të ketë edhe personalitete të tjera kosovare që do të marrin pjesë në këtë ceremoni tradicionale amerikane”, ka thënë një burim i gazetës, pa dashur të përmendë emrat e pjesëmarrësve të tjerë kosovarë.

Ministri Shala do të takojë zyrtarë të Bankës Botërore dhe në Departamentin e Shtetit do të pritet nga Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Stuart Jones.

Mëngjesi i Lutjeve mbahet çdo vit, të enjten e parë të muajit shkurt, në orët e para të mëngjesit në Washington D.C, në njërin prej hoteleve më të mëdha të Wshingtonit. Ceremonia fillon me lutje fetare, e cila drejtohet nga një prift protestant. Në këtë mëngjes kombëtar lutjesh marrin pjesë kongresistë, senatorë, drejtues të Kongresit dhe administratës së Presidentit Barack Obama, si dhe liderë dhe të ftuar nga 160 vende të botës.

Pjesëmarrësit në këtë ceremoni do t’i luten Zotit për të forcuar marrëdhëniet dhe për të çuar më tej frymën e bashkëpunimit dhe shpirtit të miqësisë. Në Mëngjesin e Lutjeve zakonisht janë dy folës - Presidenti amerikan dhe një tjetër, identiteti i të cilit nuk jepet deri në mëngjesin e ditës së lutjes. Vitin e kaluar folësi tjetër ishte ish-Kryeministri britanik, Tony Blair, ndërsa në vitin 1994 para mijëra mysafirëve kishte mbajtur fjalë Nëna Tereze. Lutja e Mëngjesit ka edhe një simbolikë tjetër për Kosovën, sepse po në vitin 1994 në lutje mori pjesë edhe ish-Presidenti Ibrahim Rugova, me ç’rast pati edhe takimin e tij të parë me Presidentin amerikan, Bill Clinton.