TIRANE- Duke ju përgjigjur akuzave të ditëve të fundit të Partisë Socialiste në lidhje me privatizimin e Fushës së Aviacionit, Ministria e Ekonomisë bëri sot me dije se nuk ka asnjë proces privatizimi për këtë hapsirë të parashikuar për zonë të gjelbër. Gjatë një komunikimi për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i METE, Durim Kraja sqaroi se pjesa tjetër e Aerodromit që nuk përfshin Fushën e Aviacionit është nxjerrë për privatizim.

“Një repart i Aerodromit është në proces privatizimi por nuk ka lidhje me pjesën që i është dhënë Bashkisë për ta shndërruar në zonë të gjelbër.” theksoi Kraja.

Ndërkohë ai u shpreh se dokumentacioni i Ministrisë së Ekonomisë mbi Fushën e Aviacionit është lehtësisht i verifikueshëm dhe se nuk mund të bëhen keqinterpretime të tij.

Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Bashkisë së Tiranës, e cila kundërshton privatizimin e Fushës së Avialiconit , duke deklaruar se ky proces është kundër interesave të komunitetit të zonës.

“Nuk ka asnjë vendim qeverie për kthimin e ish Fushës së Aviacionit në pronësi të pushtetit vendor, ka vetëm një vendim të KRRTSH-së që e përcakton si zonë të gjelbër. Bashkia nuk ka kërkuar thjesht pistën për ta kthyer në park por të gjithë territorin për të ngritur në të cerdhe , kopshte e objekte të tjera në shërbim të komunitetit. Praktikisht territori prej 5.5 hektarësh i parashikuar nga KRRTSH është vetëm 1/3, kurse 2/3 e Fushës së Aviacionit kalojnë në privatizim” theksohet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.
(e.n/BalkanWeb)