...ato që njohim përgjysmë (!)

Puna për bujë... Ti punon për bujë... Buja e madhe e bëri atë njeri... Buja e tepërt i prishi punë, iu ngatërrua vetvetja nëpër këmbë... Bëri bujë të madhe... Etj. Mund të vazhdonim me një seri togfjalëshash e shprehje, që herë të ngatërrojnë e herë të japin dorë.
Problemi i parë dhe i rëndësishëm është te mrekullia e bujës. Duhet të jesh usta i fjalës, i të folurës ekzakte dhe të rrjedhshme që të arrish deri te mrekullia e bujës. U përmbyt Nënshkodra dhe kjo bëri bujë të madhe. ç’domethënë e gjitha kjo? Ku qëndron mrekullia e këtushme? Ngarkesa kuptimore nuk ka të bëjë thjesht me ndodhinë se sa me lajmin e shpejtë, me të marrurit vesh të menjëhershëm, me fenomenin “globalizim” të gjërave e ndodhive. Përmbytja, për shembull, bëri xhiron e botës dhe mbeti për t’u diskutuar nëpër ekranet e TV dhe nëpër dyert e politikës. Përmbytja ishte hata, kurse lajmi ishte ngarkesë emocionale, i përhapur shpejt, me gazetarët e kredhur enkas në ujë (jo për t’u dukur si heronj, por për të bërë tamam bujë!) Dhe unë mendoj se iu arrit qëllimit. Këtu dhe qëndron themeli i mrekullisë. Del një vepër e mirë letrare dhe si rregull, ajo mbetet në vitrinat e librarisë, ose në duart e pak lexuesve. Kurse TV të habit. Ende pa u lexuar mirë vepra dalin njoftimet televizive të paraqitjeve të librave, të diskutimeve, portrete të autorit (ose të autorëve), pra mrekullia ka ndodhur. Shtypi dhe media elektronike e trashin lajmin dhe e zgjatin atë, duke e bërë tërkuzë, në dimensionet e mrekullisë së vërtetë. Përzgjedhja në këtë rast është spontane, ose sipas dëshirave meskine e shoqërore, sipas grupeve mediatike dhe krahëve politikë, për të vendosur piedestale të caktuar, por jo për sa u përket vlerave.
Buja dhe madhështia e saj nuk ka të bëjë me vlerat, por me lajmin. Buja ndërtohet në mënyrë strategjike, paguhet, menaxhohet dhe ngrihet mbi bazë platformash. Kjo në vetvete është reklamë e pastër, e kujdesshme dhe mbi baza njohjeje, ashtu edhe për të ngritur suksesin. Pra, me fjalë të tjera, kjo reklamë ka gjithnjë fat, sepse ushqehet me fjalë. Keni parë ndonjëherë që buja, reklama, diskutimi masiv, edhe kur është negativ, bën efektin e kundërt, sepse në çdo rast shumica bredh pas berihajt, pas zhurmës, pas fitores ose pas suksesit. Por shumica gjithashtu bredh edhe pas efektit, pas lajmit, kureshtisë, interesave të shumëllojta etj. Në çdo rast të tillë, ajo ka efekt dhe ndërtohet me procedurë të përshpejtuar.
Mrekullia e bujës qëndron në faktin se reklama zgjedhore, për shembull, ngre lart një vepër dhe befas ndodh e papritura e kundërt, bumerangu, e keqja. Në këtë rast, vepron fantazma e bujës, reklama negative, sharjet e bujshme, heroizmat për të nxjerrë në shesh të kundërtën, karakteristikë e shoqërive pluraliste. Në çdo rast, fantazma ngre kokën kur hyjnë në veprim të kundërtat, edhe në këtë rast është i nevojshëm një menaxhim për ta pasur zili, një reklamë e ujdisur mirë dhe teknikisht madje e përsosur, një finesë tjetër paraqitjeje. Por asnjëherë nuk mund të thuash se efekti në këtë rast është i qëlluar. Ai, fare mirë, mund të jetë edhe i kundërt. Ashtu siç ndodh edhe me vetë shprehjen e mrekullisë së bujës.
Buja shpesh ndërtohet edhe si aureolë. Politikanët e mirëfilltë në botë mbajnë menaxherë me mjaft emër të mbjelljes së bujës. Po kështu edhe për filmat, librat, shpikjet shkencore, djallëzitë hipokrite, plandosjet e kundërshtarëve, arritjet e vërteta, lajmet e bujshme dhe ato befasuese, kritikat e mëdha, ndjenjat kombëtare, fetare dhe pjellat e stisura ose reale të mprehtësisë.
Fabula e bujës, Anastas Kostandini, Piktor i Merituar.
Qendrat e mëdha tregtare janë një bujë më vete dhe mua më pëlqeu ajo që shkruanin gazetat dhe mbjellin televizionet për to, ashtu si reklamohen në internet e në drejtime të tjera, madje dhe ashtu si reklamohet me një dyndje të lemerishme tani (me revista plot ngjyra nëpër çdo shtëpi të kryeqytetit, madje edhe të qyteteve të mëdha.
Po ta shohësh një burrë shteti nga mëngjesi në darkë vonë me qindra herë në ekran e në faqe gazete e reviste, doemos që mrekullia e bujës kalon e bëhet fantazmë. Këtë sikur e dinë mirë ata që e mbjellin në formë lajmi a në formë reklame. Nuk të lënë të ndjesh pak mall për atë që ndodh, të paktën të ketë një ngjashmëri lajmi dhe jo ai lëshon një pordhë dhe të gjithë duhet ta dëgjojnë si lajm që bën bujë!.
“Na lini pak të marrim frymë nga mungesa e atij që e shohim çdo çast”, do të thoshte socialpsikologu Festinger.
“Bujën e krijon lajmi i pavërtetë”, shprehet psikologu Robert B. çialdini. Ky përbën pëlqim fillestar, pastaj kthehet thjesht në një lëvizje shoqërore në të kundërtën e vet.“Lajmi krijon bujën e madhe - thotë psikologia Elen Langer, - por është buja ajo që i kthen krahët me të shpejtë lajmit”...
Po. Besojini aq pak dhe aq shumë kësaj mrekullie dhe kësaj fantazme. Sepse pa të nuk bëjmë dot dhe pa të na duket sikur nuk jetojmë.






#