Tiranë, 10 shkurt, NOA- Dila Gjinaj me punën e
saj Made in Albania, u shpall fituesja e çmimit për Artin Bashkëkohor 2009,
ndarë nga AMC. Një realitet urban i kthyer në realitet artistik nga artistja, e
cila përdor çizmet e llastikut, për të treguar simbolin e ndërtimeve të
ethshme.  Është viti i dytë që kjo
kompani celulare mbështet këtë aktivitet dhe ndan çmime për studentët më të
talentuar.



Mbrëmë, në ambientet e galerisë së Fakultetit
të Arteve Pamore, pranë Akademisë së Arteve u zhvillua ceremonia e hapjes së
ekspozitës Maket, kuruar nga pedagogët Ardian Isufi dhe Najada Hamza,
kushtuar arkitekturës dhe urbanistikës. Mes 22 artistëve pjesëmarrës, studentë
të të atelieve të  Grafikës,
Modë&Tekstilit, Multimedias dhe Pikturës, u shpallën edhe më të mirët.

Gjithashtu u ndanë edhe tri çmime inkurajuese,
të cilat iu dhanë studentëve Fabiola Zoto, Eriet Muçollari dhe Artemisa
Cullhaj. Çmimi i parë merrte si shpërblim 500 euro, ndërsa çmimet inkurajuese,
të tjera dhurata nga AMC. Kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur në galerinë FAP,
deri në datën 23 shkurt 2010.

s.m/NOA