Trajneri i skuadrës së Lahtit, Ile Makela, ka pohuar pas ndeshjes se ekipi i tij mund të ishte eliminuar nga Dinamo. “Luajtëm mirë, por duhet të pranojmë se Dinamo ishte më agresive se sa ne – ka deklaruar ai në konferencën për shtyp – Pësuam një gol shumë shpejt dhe më pas skuadra u tërhoq më shumë se sa duhet. Patëm rastet tona për të shënuar dhe për t’iu dhënë fund shpresave të Dinamos që në pjesën e parë, por nuk u treguam konkretë para portës”. Ai ka deklaruar gjithashtu se taktika e Muçës e ka befasuar disi. “Sigurisht që ne nuk prisnim që Dinamo të luante me pasime të gjata, pasi në ndeshjen e parë ishim ne ata që e dominuam dhe e fituam ndeshjen falë kësaj taktike. Ishim përgatitur për një lojë teknike, por rrezikuam shumë dhe mund të ishim eliminuar”, ka vazhduar Makela.