Qeveria është shumë e interesuar për shifrat, sidomos ato turistiket. Ndaj, edhe pse kemi hyrë në sezonin e ri turistik, vijohet duke thënë se vjet kishte boom turistësh, duke llogaritur si turistë edhe rreth 1 milionë emigrantët që vijnë të çmallen në atdhe. Për të rritur këto shifra, qeveria nuk hezitoi të jepte edhe 300 mijë euro për një reklamë disasekondëshe në “CNN”, të cilën më shumë nuk e pamë, dhe do ta përsërisë me televizionin “Euro News”. Ndaj, për të arritur ato shifra të shkreta, qeveria e nismës “Shqipëria 1 euro”, po kaq e ka bërë taksën e hyrjes për në Shqipëri edhe pse, bie fjala, në Slloveni, të kalosh nëpër autostradë do të duhet të paguash një tarifë të kripur, dhe në Mal të Zi, më keq, një taksë ekologjike. Fqinji verior e ka bërë me dekret që prej 15 qershorit: kush hyn në Mal të Zi, do të paguajë një taksë ekologjike prej 10-80 euro, për veturë, furgonë dhe autobus, ndërsa deri 150 euro për kamion. Qeveria malazeze thotë se rekomandimet për taksat janë dhënë nga Këshilli Botëror për Turizëm dhe nga BE-ja, dhe fondet e mbledhura do të shkojnë për financimin e projekteve për mbrojtjen e mjedisit. Qeverisë në Tiranë nuk i intereson tani për tani ambienti, por sërish do të merret me statistikat e miliona turistëve... emigrantëve që kthehen në atdhe.