Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, u shpreh dje kundër propozimit për përjashtimin e Kastriot Islamit nga Grupi i PS. Duke shprehur qëndrimin e tij të mbajtur në mbledhjen e Kryesisë, por dhe ndaj rastit konkret, Malaj në adresën e tij në Facebook shprehet se është kundër vendosjes së disiplinës formale në grupin e deputetëve. Së pari, ritheksova në Kryesi konceptin që efikasiteti i një force politike vjen nga fleksibiliteti i saj dhe jo nga masa përjashtuese, apo disiplina formale. Masat ndëshkuese e përjashtuese do të jenë të dëmshme për sfidat politike të PS-së. Së dyti, këtë koncept të organizimit dhe drejtimit të PS-së nuk e trajtova thjesht për rastin Islami, por ia kam paraqitur edhe grupit të punës në PS, që po punonte për përmirësimin e statutit të PS. Pra është një diskutim për mentalitetin si bëhet fituese PS dhe jo një diskutim pro dhe kundër një rasti të veçantë, shprehet Malaj, si një reagim ndaj propozimit të kreut socialist, Edi Rama, për të diskutuar në mbledhjen e Grupit rastin Islami. Duke folur konkretisht për seancën e ditës së enjte, kur Grupi i PS votoi kundër kandidaturës së Bujar Leskajt në Kuvend për kryetar të KLSH-së, Malaj shprehet se mungesa e deputetëve socialistë nuk rrëzoi projektin politik të PS. Së treti, aq më pak ne nuk duhet të synojmë rritjen e efikasitetin tonë politiko- elektoral, duke rritur masat ndëshkimore ndaj çdo deputeti socialist, edhe në rastet kur mospjesëmarrja në votime apo votimi abstenues nuk prodhon një rezultat politik negativ për PS-në, por shkelje të disiplinës. Me mospjesëmarrjen e tyre, kolegët deputetë të PS nuk i sollën një dështim politik PSsë në votimin përkatës, shprehet Malaj. Kritik në mënyrën se si duhet të organizohet dhe drejtohet PS, Malaj kërkon një vlerësim real dhe jo formal të punës së çdo deputeti, duke mos e kushtëzuar atë vetëm në zbatimet formale të rregulloreve dhe statutit. Së katërti, aktiviteti konkret i çdo deputeti mund të shërbejë si element vlerësimi për karrierën e tij politike, por në asnjë rast mungesa në seancë parlamentare, mosvotimi, apo votimi abstenues, të shërbejnë për të çregjistruar kolegë nga Grupi Parlamentar. Shtimi i rasteve statutore kur një deputet penalizohet politikisht, krijon premisa negative në ushtrimin e mandateve politike, duke i shndërruar deputetët në thjesht kartonë solidarë, pa të drejtë analize dhe qëndrimi individual, shprehet Malaj në profilin e tij në Facebook. Deputeti socialist shprehet se do të flasë më gjatë rreth kësaj çështjeje në mbledhjen e së martës të Grupit Parlamentar socialist. Iniciues i një turi takimesh dhe hartues i platformës për modernizimin e partive politike, Malaj shprehet në sqarimin e tij se i mbetem konceptit se partitë tona politike duhet të jenë sa më transparente, sa më demokratike dhe sa më produktive ndaj vendit dhe interesave themelorë të anëtarëve, mbështetësve, simpatizuesve dhe votuesve të tyre. Në mbledhjen e parë të Kryesisë së re socialiste që u mblodh ditën e premte, kreu socialist Edi Rama kërkoi zbatim të rreptë të statutit të PS për ata që dolën jashtë vendimit politik të Grupit gjatë seancës të së enjtes, kur Kuvendi do të votonte kandidaturën e demokratit Bujar Leskaj për kreun e KLSH-së. Përveç Islamit, në votim mungoi dhe Pandeli Majko, i cili e justifikoi mungesën e tij me pjesëmarrjen në një videokonferencë me Uashingtonin, pasi ka aplikuar për postin e ndihmëssekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.


Meta: Islami shprehu ato mendime që po zbaton sot lidershipi i PS


Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka shprehur dje habinë e tij për mundësinë e përjashtimit të Kastriot Islamit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Kreu i LSI-së e cilësoi përjashtimin e Islamit si një rast të paprecedentë në këto 21 vite pluralizëm politik. Nuk dëshiroj të flas në emër të zotit Islami, sepse nuk mund ta bëj këtë gjë. Nuk mund ta besoj që kjo gjë mund të ndodhë. Po unë nuk e di që Islami të ketë bërë ndonjë gabim apo faj të tij, përveçse ka shprehur mendimet, të cilat në fakt pikërisht sot i ka përqafuar vetë lidershipi i Partisë Socialiste, pohoi kreu i LSI-së. I pyetur nëse Kastriot Islami do të pranohet në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka lënë të hapur çdo mundësi, duke thënë se: LSI ka strukturën e saj për cilindo që dëshiron të aderojë, por unë nuk e besoj se si mund të ndodhë një përjashtim në jetën politike pas 21 vitesh pluralizëm politik dhe demokraci, aq më tepër në Partinë Socialiste. Meta nuk ka kursyer dhe kritikat për kryesocialistin Edi Rama, i cili pas dy vitesh filloi të ndjekë linjën europiane të Kastriot Islamit. Sipas kreut të LSI-së, përjashtimi i Islamit nga Grupi i Partisë Socialiste është i pakuptimtë, pasi po të ishin ndjekur këshillat e tij, sipas Metës vendi do të kishte marrë statusin e vendit kandidat në BE. Si mund të përjashtohet një njeri, i cili për dy vjet mbajti një linjë politike tepër pro europiane, një linjë, e cila po të ishte përqafuar që atëherë nga lidershipi socialist, Shqipëria do të kishte fituar statusin e vendit kandidat që para dy vitesh, deklaroi Meta. Kreu i LSI-së ka komentuar dhe qëndrimin e PD-së e PS-së për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor. Sipas Metës, shpresoj që të ketë reflektime dhe të jetë shumë e hapur, shumë gjithëpërfshirëse dhe konstruktive, sepse dihet që reformat që ka bërë vetëm PS-ja me PD-në gjithmonë kanë sjellë probleme, të cilat në radhë të parë i kanë krijuar vetë ato pas zgjedhjeve.


Kadeli: Duhet zbatuar rregullorja që kemi vendosur


Deputeti socialist i qarkut të Lezhës, Gjovalin Kadeli, u shpreh dje se rregullorja e grupit dhe statuti duhet të zbatohet. Duhet të ketë një diskutim për zbatimin e statutit dhe rregullores, në mënyrë që të zgjidhet njëherë e mirë zbatimi i rregullores së Grupit. Nuk mund të shkojmë në zgjedhje me anarki e servilizma, duke garuar me njëri-tjetrin, se kush shan më shumë Partinë dhe kolegët merr vlerësim nga kryetari, apo kush di të serviloset më mirë, vlerësohet më shumë, u shpreh deputeti i Lezhës. Sipas tij, deputeti duhet ti bindet vendimit të shumicës. Në të gjitha rastet, kur merret një vendim i shumicës, është detyrim zbatimi i tij dhe askujt nuk i lejohet ta shkelë atë, në të kundërt po i largohesh bashkëjetesës në këtë grup dhe në mënyrë indirekte po kërkon largimin nga grupi. Kam ngritur disa herë edhe në mbledhje grupi që të diskutohej qëndrimi i disa kolegëve, sidomos me qëndrimin e tyre ndaj grevës së urisë, tallja me sakrificën tonë ishte e pafalshme, apo me qëndrime të kundërta me ato zyrtare të PS-së ndaj partnerëve tanë dhe kërkesave tona ndaj institucioneve ndërkombëtare, por kam marrë si përgjigje heshtjen në rastin më të mirë, apo kërcitjen e dhëmbëve në rastin më të keq nga drejtuesit, shprehet Kadeli.


GRUPI I PS


Të martën do të zhvillohet mbledhja e radhës e Grupit Parlamentar socialist, ku do të merret në diskutim edhe rasti i mungesës së Kastriot Islamit gjatë votimit në seancën e fundit parlamentare. Kjo do të jetë mbledhja e fundit e Grupit për këtë vit, pasi Parlamenti do të nisë pushimet e dimrit.


AGOLLI: DO FLAS PAS GRUPIT TË PS


Patriarku i socialistëve, shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, i kontaktuar dje në telefon për debatin e përjashtimit të Islamit nga Grupi i PS, nuk preferoi të bëhej pjesë e këtij debati. Ai u shpreh se do të flasë kur kjo çështje të bëhet zyrtare. Unë do të flas kur ky problem të diskutohet në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist. Vetë Kastrioti është shprehur se nuk i kanë komunikuar asgjë zyrtare rreth një qëndrimi për përjashtim ndaj tij, u shpreh Agolli. Shkrimtari i njohur në të gjitha deklaratat e tij të mëparshme përmes intervistave ka kërkuar solidaritet dhe frymë uniteti në PS dhe është shprehur kundër lu