"Mallakastra siç ka qenë", është filmi dokumentar i cili shfaqet premierë sot në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Me skenar të Uran Butkës e regji të Enver Shehut, ky film dokumentar trajton me dokumente historike dhe me objektivitet historinë e krahinës së Mallakastrës dhe më gjerë qysh nga fillimet e jetës nga ato treva, duke nisur që nga Bylisi i lashtë e Nikaja. Në dokumentar përfshihet Mallakastra gjatë periudhës së Skënderbeut, Lidhjes së Prizrenit, Shpalljes së Pavarësisë, luftës kundër rebelimit ndaj Haxhi Qamilit, Lufta e Dytë Botërore, si edhe pas lufta. Në qendër të secilës prej këtyre ngjarjeve gjenden figura të rëndësishme të kësaj treve. Filmi dokumentar "Mallakastra siç ka qenë" është një histori e shkurtër e luftërave për liri, pavarësi dhe demokraci të popullit të Mallakastrës. Gjatë këtij dokumentari hidhet dritë në mënyrë të veçantë në periudhat e errëta të historisë sonë si ngjarjet e motit 1914, si dhe të Luftës së Dytë Botërore, të cilat historiografia e mëparshme i ka tjetërsuar. Parë në këtë këndvështrim, dokumentari kushtuar Mallakastrës, jep një ndihmë në rishikimin e historisë. "Mallakastra siç ka qenë" është historia e dokumentuar e një populli që nga fillesat e deri në ditët tona.