Nga Altin Latifi
Mancesteri i druhet shumë mbështetjes së zjarrtë të tifozerisë skoceze në ndeshjen e sotme ndaj Sëlltikut, e vlefshme për grupin E të Champions League. Trajneri Ferguson deklaroi se skocezët do të jenë shumë të inatosur me humbjen e pësuar dy javë më parë. 

Mançester Junajtid do të ketë një pritje ferri në stadiumin “Sëlltik Park” të Glazgout sot në mbrëmje. “Do ta bëjmë të heshtë turmën e apasionuar të tifozëve të Sëlltikut”, deklaroi trajenri Aleks Ferguson, një njohës i vjetër i futbollit skocez. Mançesteri arriti të fitonte 3-0 në ndeshjen e 21 tetorit në “Old Traford”, por dy golat e parë të shënuar nga Berbatov, ishin në pozicion jashtë loje. Ferguson deklaroi se Sëlltiku kërkon hakmarrje në ndeshjen e sotme. “Besoj se ata janë të inatosur me rezultatin e marrë herën e fundit dhe me mbështetjen që kanë në fushë e tyre, do të jenë shumë të vendosur për të luajtur pa kompromis”, deklaroi trajneri i Djajve të Kuq. Ai tha gjithashtu se skocezët do të japin gjithçka në këtë takim. “Kanë një mbështetje fantastike dhe neve na duhet të kontrollojmë jo vetëm Sëlltikun, por edhe turmën. Shpresoj që eksperienca të na ndihmojë”, u shpreh Ferguson. Portieri Ben Foster do të bëjë debutimin e tij në Champions League, pasi Edvin Van Der Sar do ta bëjë pushim. Për kampionët e Evropës do të mungojnë gjithashtu mbrojtësit Ues Braun dhe Geri Nevil. Në krahun tjetër, Sëlltiku është një nga skuadrat më të forta në shtëpi. Ajo njeh vetëm një humbje në 11 ndeshjet e fundit në Glazgou. Trajneri Gordon Strahan deklaroi se skuadra e tij do të japë gjithçka për të dalë me pikë nga një ndeshje e tillë. (a.r/balkanweb)