Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë konfirmoi zyrtarisht sot se Muhamed Krasniqi, i njohur si komandant Malisheva nuk ka tentuar vetëvrasjen në burgun e Prilepit.

Pas pyetjeve të dërguara disa ditë më parë, më në fund, Dikasteri i Drejtësisë konfirmoi se zërat për tentativë vetëvrasjeje të Komandant Malishevës, nuk janë të vërteta, përkundrazi ai është mirë, njofton Alsat-M.

"Ministria e Drejtësisë ju informon se spekulimet e ngritura për Muhamed Krasniqin (Komandant Malisheva) i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në burgun e Prilepit, për tentimvetëvrasje janë të pavërteta dhe se gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe stabile", thuhet në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.

Disa ditë më parë, duke iu referuar burimeve jo zyrtare dhe të pakonfirmuara, Alsat-M publikoi se Muhamed Krasniqi kishte tentuar vetëvrasjen me acid sulfurik, ngjarje kjo e dyshuar si e ndodhur 10 ditë më parë, por e penguar nga personat e tjerë.

Informacioni erdhi gjatë periudhës kur të dyshuarit e grupit të Kumanovës u morën në pyetje nga Prokuroria, edhe pse sipas avokatëve mbrojtës ata nuk pranuan të flisnin, pasi kërkuan më parë nga Prokuroria që të njiheshin me provat që pala e akuzës posedon. Për ngjarjet e Kumanovës më 9 dhe 10 maj të dyshuar janë gjithsej 33 persona.

Gjatë luftimeve, humbën jetën 8 policë, 38 u lënduan ndërkohë që nga radhët e grupit, humbën jetën 10 persona.

Mbrëmë, gruaja e Komandant Malishevës, Arjeta Rexhaj Krasniqi, si dhe avokati i tij kanë reaguar duke mohuar tentim-vetëvrasjen e Krasniqit.