Gjendja në të cilën ndodhet mazhoranca aktuale me një mungesë numrash për të zgjedhur kreun e shtetit, por dhe duke vënë në pikëpyetje mbajtjen e qeverisë në këmbë, ka sjellë dhe rebelimin e deputetëve të PD ndaj kryeministrit Berisha.


Gazeta Shqiptarja.com shkruan sot se deputeti demokrat Mark Marku, i njohur për qëndrimet e tij të forta në drejtim të përmirësimit të qeverisjes dhe në veçanti të pasigurisë që rrezaton koalicioni me LSI e Metës, dje në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar ka shfaqur shqetësimin e tij për mungesën e numrave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, për pasojë dhe pasigurinë e vijimit më tej të koalicionit me LSI.


“Deputeti Marku ka kërkuar nga Berisha emrin e kandidatit për kreun e shtetit, duke shprehur shqetësim për mungesën e numrave për qeverisjen pas një largimi të mundshëm të LSI. Berisha i ka qetësuar duke u shprehur se LSI vijon në koalicion, ndërkohë që ka kërkuar që deputetët të kenë kujdes me qëndrimet ne media,”- thuhet ndër të tjera në kryertikullin e sotëm të gazetës Shqiptarja.com. Gazeta zbardh në detaje debatin mes Berishës e Mark Markut, ndërkohë që PS thotë se është gati të zhvillojë zgjedhje të parakohshme.