Në ambientet e Bibliotekës Universitare “Sh. Kliment Ohridski” të Sofjes, më 10 tetor, drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës Sali Bashota nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Bibliotekën nikoqire.

Marrëveshja për një bashkëpunim të vazhdueshëm midis këtyre dy institucioneve do të realizohet në këto fusha: vizita e specialistëve të bibliotekave nga të dy palët, trajnime të bibliotekarëve në programin e integruar bibliotekar Aleph 500, shkëmbime të dokumenteve, botimeve shkencore, bashkëpunim në fushën e huazimit ndërbibliotekar, botime të përbashkëta, takime shkencore dhe seminare etj.

Kjo marrëveshje do të hapë një mundësi të mirë të bashkëpunimit konkret e rezultativ, sidomos në aftësimin profesional me qëllim të avancimit të dijes për bibliotekarinë dhe në përmirësimin e njohurive në fusha të veçanta të sistemit të automatizuar bibliotekar, më konkretisht në modulin e qarkullimit dhe të huazimit ndërbibliotekar, por edhe në module të tjera.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës pati një takim edhe me studentët bullgarë, të cilët e studiojnë gjuhën shqipe në Degën e Ballkanologjisë në Universitetin e Sofjes, si dhe me pedagogët e albanologjisë Russana Beyler dhe Anton Panchev.

Vizita u realizua në mbështetje të pakursyer nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Sofje.