Dritan Dajti përsërit para prokurorëve të Krimeve të Rënda alibinë e tij se ka vrarë tre oficerë në Durrës, pa e ditur se ishin efektiva policie. Për më tepër se dy orë, autori i “masakrës së Durrësit” është marrë në pyetje dje nga grupi hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Lajmi konfirmohet nga burime të spitalit të burgjeve, ku mbahet në regjim të rreptë mjekësor i arrestuari Dritan Dajti. Sipas këtyre burimeve, prokurorët e Krimeve të Rënda mbërritën dje në spitalin e burgut rreth orës 13:20 dhe për rreth dy orë, qëndruan në qelinë e Dritan Dajtit bashkë me avokatin e tij mbrojtës Arben Qeleshi. Seanca e djeshme e marrjes së deklarimeve është e para për Dritan Dajtin, që prej arrestimit të tij pasi vrau katër oficerë policie, gjatë aksionit për kapjen e tij, në afërsi të plazhit në qytetin e Durrësit. Dëshmia për masakrën “Ishin persona të maskuar dhe me armë, nuk pashë asnjë shenjë dalluese se ishin punonjës të policisë”. Kështu mësohet se është shprehur 38-vjeçari Dritan Dajti dje gjatë dëshmisë së dhënë për Krimet e Rënda. I arrestuari mësohet se është pyetur me hollësi për veprimet që ka kryer rreth orës 13:35 të 7 gushtit 2009, që nga momenti kur ka ndaluar automjetin e tij në rrugicën pranë pistës “Iliria”, deri në kohën kur Fatos Xhani është afruar tek automjeti i tij. Dajtit i janë kërkuar hollësi dhe përshkrime të detajuara për veshjen e efektivave të policisë, si dhe për faktin se Fatos Xhani, komandant i skuadrës që u ekzekutua nga i kërkuari, ishte prezantuar si polic në momentin e ndërhyrjes. I akuzuari për vrasjen e katërfishtë të oficerëve, mësohet se ka sqaruar se në asnjë moment nuk ka kuptuar se personat që po i afroheshin automjetit të tij ishin efektiva policie. Burime të Prokurorisë nuk bëjnë komente në lidhje me dëshminë e Dajtit apo seancën e administrimit të përgjigjeve të tij. Megjithatë disa ditë më parë, organi i akuzës ka thënë se alibia e të arrestuarit bie në kundërshtim me prova e dëshmi të grumbulluara gjatë hetimit, të cilat tregojnë se Fatos Xhani është prezantuar si efektiv policie gjatë ndërhyrjes. Policët me maska Katër oficerët e skuadrës që ishte vënë në ndjekje të Dritan Dajtit, kanë qenë të maskuar gjatë ndërhyrjes në operacion. Kjo mësohet se është në përputhje me rregulloren e Sektorit të Operacioneve Speciale, ku bënin pjesë katër dëshmorët e policisë, Fatos Xhani, Kastriot Feska, Altin Dizdari dhe Sajmir Duçkollari. Natyra e punës së sektorit është veprimtaria “dinake” kundër krimit, konkretisht vëzhgimi, gjurmimi, përgjimi dhe infiltrimi si metoda speciale të hetimit. Katër oficerët e policisë, me përjashtim të Sajmir Duçkollarit, nuk kanë pasur uniformë rendi. Njëri prej tyre, Duçkollari ka qenë i veshur me një pulovër blu, të policisë së shtetit, e cila ka pasur një shirit fosfori, por jo mbishkrime sinjalizuese të policisë.
Hetimi për personin e katërt që shoqëronte Dritan Dajtin TIRANE – I shumë-kërkuari Dritan Dajti ndodhej me tre persona të tjerë në makinë, në momentin kur u përball me agjentët e policisë në Durrës. Dy prej këtyre personave janë identifikuar, Erges Xhoxhi, kunati i tij, dhe Ledion Mara, mik i Dajtit i cili mbeti i vdekur nga shkëmbimi i zjarrit në vendin e ngjarjes. Personi i tretë nuk është identifikuar. Ai arriti të largohej nga vendi i ngjarjes, edhe pse Kastriot Feska e kishte ndjekur duke arritur ta ndalonte e ta shtrinte përtokë, pak metra larg vendit ku u vranë kolegët e tij. Agjenci i policisë pati të njëjtin fat, pasi u qëllua gjashtë herë me pistoletë nga Dritan Dajti. Ky i fundit, pasi kishte vrarë tre oficerë policie, u afrua tek vendi ku Kastriot Feska kishte shtrirë personin e katërt dhe qëlloi efektivin e policisë gjashtë herë pas shpine, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Dëshmitarët në vendin e ngjarjes konfirmuan gjatë hetimit se një person i katërt që ndodhej në automjetin tip fuoristradë “Tuareg” ka qenë bashkë me Dajtin para përplasjes me forcat e policisë. Ky person ende nuk është identifikuar ndërsa rrezikon akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”. tr.so