Tiranë- Duhej të kalonte Presidenti i Republikës në opozitë që të ngrihej problemi i katrahurës së sistemit universitar privat. Ndërsa dekretoi dhjetë rektoret e universiteteve publike, presidenti Topi, ndaloi tek cilësia e diplomave të universiteteve private. Ai theksoi mënyrën e pranimit të studentëve në këto universitete. Ndërsa të rinjtë që pranohen në universitetet publike i nënshtrohen konkursit, në universitete private studentet mund të futen pa asnjë kriter përgatitjeje, mjafton të bëjnë pagesën dhe madje mund të regjistrohen në çdo periudhë te vitit mësimor.

Presidenti kërkoi vendosjen e kontrollit qeveritar mbi këtë sistem, pasi, sipas tij, këtë nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm por duhet të rregullohet i tërë sistemi.

Sipas presidentit, diplomat që lëshohen nga një pjesë e mirë e universiteteve private nuk janë reale, ato janë fiktive sëbashku me çertifikatat e notave. Shpesh ato janë me nota shumë të mira dhe të diplomuarit sigurojnë vende pune për këtë arsye. Ndërsa diplomat e studentëve të universiteteve publike, edhe pse mund të jenë më të përgatitur, kanë notë më të ulëta.

Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë ngre problemin e cilësisë së universiteteve private. Për vite me radhë, media ka akuzuar rëndë sistemin arsimor universitar privat, i cili është shndërruar në fabrikë diplomash.

Qëkurse drejtimi i arsimit shqiptar u mor në dorë nga Genc Pollo, universitetet private mbinë rrufeshëm si kioska duke i dhënë një goditje të fortë cilësisë së diplomimit.

Në mënyrë absurde, universitetet private ndryshojnë nga ato publiket pasi studentët tek privatët nuk i nënshtrohen konkursit. Universitetet private nuk kanë afat për regjistrimin e studentëve, por mund të futesh në procesin mësimor edhe në mes të vitit. Universitetet private presin të regjistrojnë ata të rinj që nuk do të fitojnë tek publiku dhe reklamat në media Regjistrimet vazhdojnë vazhdojnë nga shtatori deri në qershor.

Madje, në disa universitete private mund të regjistrohesh direkt në vit të dytë e të tretë, mjafton të derdhësh kuotë për vitet e para shkollore. Ky mekanizëm e ka shkatërruar tërësisht tregun e diplomimit, duke mbushur rrugët me të diplomuar fiktivë, të cilët për shkak të konjukturave politike dhe korrupsionit depërtojnë, duke marrë vende pune në administratë.

Në emër të masivizimit të arsimit, qeveria ka neglizhaur vendosjen e çdo lloj mekanizmi kontrolli mbi universitetet private, duke i lënë dorë të lirë fabrikimit të diplomave dhe shitjes së tyre në mënyrë krejt legale. Ministri i Arsimit deklaroi dy ditë më parë se Shqipëria ka numrin më të madh të studentëve për frymë. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë, por zoti ministër nuk tha se të cilit nivel janë këta studentë. Të jetë i sigurtë se janë në nivelin më skandaloz të mundëshëm, pasi në shumëicën e universiteteve private, diplomat shiten si mall dhe nuk merren si dëshmi e shkollimit dhe aftësimit profesional.

Presidenti i Republikës ka nisur të bëhet kritik qëkurese doli hapur me formacionin e tij politik ende ilegal, por duket të jetë i vonuar ndërkohë që breza të tërë i kanë blerë tashmë nga tre katër diploma dhe nuk është çudi që nga ky soj, kreu i shtetit të ketë dekretuar edhe gjykatës e prokurorë.

Mentor Kikia

 

Shkrime të tjera me interes:

  1. Kule: Ligji, pazare për interesa të universiteteve private Tiranë Qeveria shqiptare është duke hartuar një projektligj për...
  2. Universitetet Private- Diploma të vlefshme, vetëm 19 nga 41 gjithësej Tiranë- Diplomat e lëshuara nga universitetët private në Shqipëri ka...
  3. Hapen debatet për financimin e universiteteve Tiranë Refomra e financimit të universiteteve u diskutua në...