Italiani Mauro Bençivenga ka zbritur dje në fushën e stadiumit “Skënder Halili” në kryeqytet, ku edhe pse i caktuar zv/trajner, ai drejtoi plotësisht seancën e djeshme stërvitore të bardhebluve, duke spikatur si një teknik i madh dhe njeriu që mund rezultojë përcaktues për fatet e Tiranës në këtë sezon.I qeshur dhe pa asnjë lloj kompleksi, Bençivenga theksoi ende pa nisur stërvitjen se është në kryeqytetin shqiptar për të përmbushur një ëndërr që kishte dikur: të nxjerrë Tiranën kampione të Shqipërisë dhe mundësisht ta sjellë atë në parametra të lartë teknikë që të konkurrojë denjësisht në kompoeticionet evropiane. 57-vjeçari nuk dha shumë hollësira për arsyet që pranoi ofertën e bardhebluve, por përgëzoi kryedonatorin Refik Halili, të cilin e quajti njeri të madh dhe një dashamirës të jashtëzakonshëm të skuadrës, teksa anashkaloi kushtet financiare të kontratës së tij të re. Për Mauro Bençivengën, Tirana ka qenë një nostalgji dhe një dashuri e madhe, edhe pse në krye të saj italiani qëndroi vetëm për 11 javë kampionat në sezonin 2005-2006, ku pas barazimit të shumëpërfolur 4:4 në kryeqytet ndaj Shkumbinit, u detyrua të largohej së bashku me trajnerin e atëhershëm Leonardo Menekini. “Jam këtu për të dalë kampion me Tiranën. Mora vesh se këtu është punuar shumë dhe unë përgëzoj presidentin për punën e madhe që ka bërë. Ka një grup të shkëlqyer lojtarësh që do të jenë në gjendje të dalin kampionë. Besoj shumë se këtë herë ëndrra ime do të realizohet. Atë që nuk mundëm të përmbyllnim me Menekinin më 2005-2006, do ta realizojmë këtë herë. Kjo është një skuadër e madhe dhe më lejoni të them se Tirana ka qenë vazhdimisht gjatë kësaj kohe një nostalgji dhe një dashuri e madhe për mua. Sigurisht që një ofertë e tillë nuk mund të mohohej dhe unë jam shumë i lumtur që jam këtu. Do të ushtroj eksperiencën time dhe do të shkrij mundësitë e mia që ky grup të gjejë vetveten. Rruga drejt titullit nuk do të jetë e lehtë, por do të përpiqemi për të dhënë maksimumin që të realizojmë objektivin. Kishim dikur një projekt, por unë mendoj se gjithçka do të shkojë mirë këtë edicion. Këtu punohet dhe kjo është gjë e mirë për të gjithë ne. Skuadra do të përgatitet fuqishëm për të realizuar objektivat e saj këtë sezon”, tha Bençivenga.


Rrudho: Tirana, një trampolinë për më lart

Blerja më e re e Tiranës është Xhulian Rrudho, i cili ka insistuar vetë që të veshë fanellën bardheblu, duke kontaktuar me kryedonatorin Refik Halili, që dha ok-ejin për ardhjen e tij në parametra zero, pra si lojtar i lirë dhe jo i huazuar nga Fiorentina. Dje Rrudho zbriti në stërvitje ku dha një intervistë për “Panorama”. “Kam pasur probleme aktivizimi te Fiorentina për shkak të dokumentacionit si ekstrakomunitar. Te Tirana kam ardhur si lojtar i lirë dhe jo i huazuar. Kam firmosur një kontratë gjashtëmujore dhe më pas mendoj të gjej sërish një klub të Serisë A për të përmbushur objektivat e mia”. Në lidhje me kushtet e kontratës lushnjari thotë: “Për mua nuk kanë qenë problem kushtet financiare, por aktivizimi. Sigurisht që një rrugë e hapur për të ardhur këtu ka qenë që në verë, por tani jam i lumtur që unë do të mund të luajë me Tiranën, skuadrën më të mirë të Shqipërisë. Unë jam këtu për të treguar vlerat e mia dhe për të dhënë maksimumin tim. Dua të dal kampion me Tiranën dhe që ta bëj këtë do të shënoj shumë gola”, përfundoi blerja më e re e skuadër së Tiranës, Xhulian Rrudho.