Durrës – Një person i dyshuar për tregtim të cigareve pa pullë fiskale është vënë në pranga nga policia. Burime nga uniformat blu të qytetit bregdetar thanë për gazetën se dje u arrestua në flagrancë shtetasi Bajram Rustemi, lindur në Përmet dhe banues në Durrës, pasi u kap duke mbajtur cigare pa pullë fiskale. Sipas të dhënave nga policia e këtij qyteti, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën rreth 2 koli cigare të llojeve të ndryshme si “Slims”, “Filip Morris”, “Malboro e Bardhë”, “Merit”, “Uiston”, të cilat ishin pa pullë fiskale. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit për kryerje të veprës penale të “Tregtimit apo transportimit të mallrave që janë kontrabande” dhe “Ruajtjes apo depozitimit të mallrave kontrabandë”, të parashikuar nga Nenet 178 dhe 179 të Kodit Penal.



Refuzohet raporti mjekësor për Kujtim Bunën, shtyhet sërish seanca e bandës së Durrësit



Tiranë – Është shtyrë sërish seanca gjyqësore e bandës së Durrësit. Shkak është bërë mungesa e të pandehurit Kujtim Buna, i cili nuk ishte paraqitur për arsye shëndetësore. Avokati i tij paraqiti raportin mjekësor që vërtetonte gjendjen e rëndë shëndetësore të tij. Por këtij të fundit nuk i është lejuar nga uniformat blu për të bërë një skaner që do ta ndihmonte atë për të nxjerrë diagnozën për shqetësimet që ai kishte. Avokati i të pandehurit Kujtim Buna i kërkoi trupit gjykues që të lejohej klienti i tij të kryente ekzaminimet përkatëse, të cilat do të mbuloheshin nga familja. Por trupi gjykues nuk e mori parasysh pasi raporti mjekësor nuk kishte numrat serialë dhe firmat e institucionit përkatës.

Përveç Kujtim Bunës, ishin dhe tre të pandehur të tjerë që për arsye shëndetësore nuk ishin paraqitur në sallën e gjyqit, por përfaqësoheshin nga avokatët e tyre. Gjithashtu nuk ishte i pranishëm me dëshirën e tij i pandehuri Indrit Taullau.

Në masa të rrepta sigurie ishte dhe i penduari i drejtësisë Adriatik Coli. Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin dhe të pandehurit: Lulzim Berisha, Indrit Dokle dhe Alban Neli, të cilët përfaqësoheshin nga avokatët e tyre. Pas një debati prej 30 minutash, gjykatësit shtynë seancën gjyqësore dhe caktuan datën 16 për zhvillimin e seancës tjetër.









13 Shkurt 2009