Meqenëse kritiku konsiderohet si njeri më kulturë të gjerë letrare, shenjat e objektivitetit duhet të jenë prezent në formulimet e dhëna mbi veprën letrare, përkundër asaj se nga recipienti i mundshëm çdo formulim konsiderohet vetëm një përshtypje, nëse shprehemi me terminologjinë e estetikës



Ilir Sefaj

Kritika është një punë tjetër dhe ca më e vështirë. Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër nuk arrij të kërcej e të çfryj: duhet të çfaq përset e pëlqimit a të çpëlqimit tim, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua F. Konica.

Krijimet e caktuara letrare dhe jo vetëm letrare, gjithnjë i ka përcjellë edhe kritika mbi to. Nëse iks krijuesi është shfaqur para lexuesit (dëgjuesit, shikuesit) me një libër, këngë, skenar filmi, regji e të tjera aktivitete si këto, është ballafaquar edhe me vlerësimet që janë dhënë mbi krijimin e caktuar.

Ky është në esencë qëllimi i parë dhe final i kritikës. Me termin kritikë, në një përkufizim më të përgjithësuar nënkuptojmë; vlerësimin.

Pra, pse është i mirë ose pse ka vlera një krijim i caktuar dhe e kundërta, pse nuk është në nivel ose pse është pa vlera një tjetër krijim i caktuar.

Meqenëse përkufizimi mbi kritikën, është paksa i përgjithësuar, dhe duke e pasur këtë epitet kërkon një përqasje më përgjithësuese shumëdimensionale, ne sikur do të ngushtohemi paska.

Do flasim mbi kritikën letrare bashkëkohore shqiptare, gjithnjë në linja shumë të ngushta, meqë edhe kjo aventurë kërkon goxha përkushtim, përgjegjësi e njohuri.

Faktikisht formulimi mbi kritikën më shumë mëton të jetë i natyrës polemizuese, inicuese në kuptimin e asaj se kah po shkon kritika letrare sot...

Libra janë botuar gjithnjë, botohen edhe sot. Po ashtu gjithnjë ka pasur krijime të arrira, deri-diku të arrira, dhe të paarrira.

Mirëpo, kritika letrare shqipe sot (sidomos në Kosovë), sikur e ka marrë një dhe të vetmin drejtim, mendoj se mungon një përqasje më objektive ndaj krijimeve të caktuara letrare, në mënyrë që kur të flasim për letërsinë nga lexuesi eventual të konsiderohemi/ perceptohemi më kompetent!

Shumë kritikë të letrave shqipe sot, sikur e kanë harruar formulën me mjaft domethënie te babait të kritikës sonë, Faik Konica, i cili kur fliste për kritikën letrare ndër të tjera thoshte: Lyrismi nukë ka punë me kritikën.

Gjithnjë sipas kësaj formule, mendoj se duhet bërë ndarjen/ dallimin e veprës letrare nga krijuesi i veprës letrare dhe kritiku i veprës letrare, në kuptimin emotiv të tyre, ndërsa në kuptimin e përqasjes (shih. procesit vlerësues ndër-lidhshmërisë) gjithsesi këto të tria janë të ndërliksura, dhe vetëm si të tilla japin plotninë e tyre.

Meqenëse kritiku konsiderohet si njeri më kulturë të gjerë letrare, shenjat e objektivitetit duhet të jenë prezent në formulimet e dhëna mbi veprën letrare, përkundër asaj se nga recipienti i mundshëm çdo formulim konsiderohet vetëm një përshtypje, nëse shprehemi me terminologjinë e estetikës.

Sidoqoftë, jo rrallë ka ngjarë që krijime me një cilësi shumë të varfër kanë fituar epitetin e diçkaje shumë të arrirë, dhe me këtë fjalor nuk kontribuohet për letërsinë, për artin në përgjithësi, përkundrazi vlerësime të tilla e shpijnë artin në vulgarizim, në kuantitet duke shtuar epshin për tu marrë me krijime letrare edhe njerëz që nuk është fushë e veprimtarisë së tyre, apo njerëz që nuk e ndjejnë në palcë një nevojë të tillë.

Formulime si; një vepër e shkëlqyer, e përmasave universale, kryevepër, vepër model, temë e virgjër, postmoderne etj., etj., kam përshtypjen se janë ekzagjeruar aq shumë sa që kanë kaluar në banalitet.

Nuk krijohen çdo ditë kryevepra, nuk mund ta marrë epitetin e veprës model secili krijim, secila vepër..Përfundimisht, kur flasim për kritikën letrare shqipe sot, flasim për kritikën e mikut për mikun, përderisa do të duhej te flitej për kritikën e studiuesit për veprën....

(*) Dërguar nga autori