-Kryeministri Berisha kërkoi që Komiteti Këshillimor të shpallë si tematikë kryesore të shërbimeve dhe të punës së tij luftën kundër trafiqeve dhe krimit ekonomik


Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u mblodh sot Komiteti Këshillimor për masat kundër krimit të organizuar. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet maksimale për vizonin dhe kontributin e institucioneve dhe agjencive të linjës, në luftën kundër krimit të organizuar.
Rezultatet e kësaj lufte, u shpreh Kryeministri, bënë të mundur heqjen e pengesave për procesin e integrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe kanë patur një impakt shumë të madh pozitiv në imazhin e Shqipërisë.


Kryeministri kërkoi nga ky komitet që të përqendrojë dhe të shpallë si tematikë kryesore të shërbimeve dhe të punës së tij luftën kundër trafiqeve dhe krimit ekonomik. “Komiteti, i cili është këshillues në luftën kundër krimit të organizuar, duhet ta përqendrojë dhe të shpallë si tematikë kryesore të shërbimeve dhe të punës së tij luftën kundër trafiqeve dhe krimit ekonomik. Është e domosdoshme që problemi i trafikimit të ketë një trajtim tërësor dhe të përgjegjshëm, që nga shkaqet dhe përpjekjet për parandalimin e tyre, tek zbulimi, ndëshkimi, rikthimi i viktimave dhe trajtimin e tyre”, u shpreh Kryeministri.


Sa i përket angazhimit të Komitetit në problemin e krimit ekonomik, Kryeministri tha se për zhvillimin ekonomik të vendit nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa lufta kundër krimit ekonomik.


“Tre vjet më parë ata parashikuan rënie ekonomike, për shkak të vendosmërisë sonë për të ndërprerë fluksin e trafiqeve kriminale dhe të vendosmërisë sonë për të goditur organizata dhe bandat kriminale. Por, këto parashikime nuk ndodhën, ndonëse organizatat u goditën dhe kanalet e parave të tyre u bllokuan, por ajo që ndodhi në Shqipëri ishte rritja e kredisë bankare. Paratë kriminale u zëvendësuan me paratë e bankave dhe Shqipëria pati rritjen më të shpejt, të dytën në botë, për sa i përket rritjes së ekonomisë. U ndala në këtë çështje sepse për zhvillimin ekonomik nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa lufta kundër krimit ekonomik”, u shpreh Kryeministri



Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh;


“Përfitoj nga rasti për të shprehur vlerësimin maksimal për vizonin dhe kontributin e institucioneve dhe agjencive që ju drejtoni në luftën kundër krimit të organizuar. Eficenca dhe rezultatet e kësaj lufte, bënë të mundur hapjen apo heqjen e pengesave për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Puna e këtyre institucioneve, përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre, shndërruan Shqipërinë në një ndër vendet më të sigurta të rajonit dhe në një vend me treguesit e kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Puna, përkushtimi dhe profesionalizmi i institucioneve që ju drejtoni e bënë jetën e qytetarëve shqiptarë shumë të sigurt në rrugët dhe rrugicat e fshatrave dhe qyteteve të vendit.


Rezultatet e kësaj lufte kanë pasur një impakt jashtëzakonisht pozitiv në imazhin e Shqipërisë dhe të shoqërisë shqiptare, mbi të cilën ishin hedhur dyshime të padrejta. Po përhapej dhe kristalizohej mendimi se ne jemi një shoqëri që pajtohemi me krimin, ç’ka është krejtësisht e pavërtetë. Ne jemi një shoqëri që nuk pajtohemi me krimin, por jemi një shoqëri që, edhe kur nuk kemi pasur shtet, kemi pasur rend dhe qetësi. Në këtë kontekst, puna e bërë këto vitet e fundit është një punë shumë e çmuar, e dobishme dhe që ka sjellë vendin në një stacion të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe formave të tij më të stërholluara.


Ky Komitet Këshillimor, që ka si bazë ligjore ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar të vitit 2004, do të përpunojë këshillat më të mira për qeverinë, në mënyrë që lufta kundër krimit të organizuar të njohë nivele të reja dhe të vazhdojë me vendosmëri të plotë luftën me zero tolerancë ndaj këtij fenomeni. Është zgjeruar dhe konsoliduar një partneritet i shkëlqyer me të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit të vendeve partnere dhe mike, gjë e cila ka dhënë rezultate shumë të dobishme.


Duke theksuar këto, mendoj se Komiteti, i cili është këshillues në luftën kundër krimit të organizuar, duhet ta përqendrojë dhe të shpallë si tematikë kryesore të shërbimeve dhe të punës së tij luftën kundër trafiqeve dhe krimit ekonomik. Është e domosdoshme që problemi i trafikimit të ketë një trajtim tërësor dhe të përgjegjshëm, që nga shkaqet dhe përpjekjet për parandalimin e tyre, zbulimin, ndëshkimin, rikthimin e viktimave dhe trajtimin e tyre. Pra, një vend që ka problem trafikimin duhet ta bëjë atë një çështje parësore. Dokumentet ndërkombëtare që ekzistojnë janë dokumente të shkëlqyera për sa i përket drejtimeve, në të cilat duhet të mbështetet qëndrimi ynë në luftën kundër trafiqeve.


Konstatoj me kënaqësi se ka një kthesë pozitive gjatë muajve të fundit në penalizmin e autorëve, në masat e marra ndaj tyre, dënimet dhe ndjekjen e tyre. Kjo nuk është ekspozuar sa duhet por kjo nuk është e vështirë. Për ne ka rëndësi më të madhe që të studiojmë çdo hap të këtij procesi dhe këtij fenomeni tmerrësisht negativ dhe t’i japim përgjigje në çdo hap, që nga shkaqet dhe parandalimi, tek rikthimi dhe trajtimi i viktimave. Ne jemi një vend i vogël dhe mund të arrijmë rezultate shumë më të mira se vende të tjera të mëdha. Ne jemi një vend i vogël dhe kapaciteti monitorues dhe kontrollues e ka të plotë.


Së dyti, ky Komitet duhet të angazhohet në problemin e krimit ekonomik. Shqipëria po merr ritme realisht të fuqishme në këtë linjë. Tre vjet më parë kishin parashikuar rënie ekonomike, për shkak të vendosmërisë sonë për të ndërprerë fluksin e trafiqeve kriminale dhe për shkak të vendosmërisë sonë për të goditur organizata dhe bandat kriminale. Por, këto parashikime nuk ndodhën, ndonëse organizatat u goditën, kanalet e parave të tyre u bllokuan, por ajo që ndodhi në Shqipëri ishte rritja e kredisë bankare. Paratë kriminale u zëvendësuan me paratë e bankave dhe Shqipëria pati rritjen më të shpejt, të dytën në botë, për sa i përket rritjes së ekonomisë.


U ndala në këtë çështje sepse për zhvillimin ekonomik nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa lufta kundër krimit ekonomik. Krimi ekonomik është një deformues, një agresor, një agjent toksik për zhvillimin ekonomik të vendit. Ky zhvillim duhet bazuar te liritë, në lirinë ekonomike, në resurset e mëdha që ka vendi, zhvillimin e burimeve njerëzore, etj.. Por, të gjithë këto së bashku kanë një armik, që është veprimtaria kriminale ekonomike. Ndaj, ne duhet të adaptojmë strategjinë me zero tolerancë ndaj krimit ekonomik. Ka një eksperiencë të nisur me task force-n, e cila mund të thuhet se është një eksperiencë pozitive, por do të shihet mundësia qe të përhapet më tej. Sidoqoftë, në këtë drejtim ka hapësira të mëdha për të zgjeruar koordinimin, bashkëpunimin dhe suksesin e mëtejshëm në këtë luftë”.