Nën drejtimin e Zëvendëskryeministrit Gazmend Oketa u zhvillua sot mbledhja e Komitetit Ndërministror i Emergjencës Civile, i cili diskutoi masat që do të ndërmerren në kuadër të strategjisë për parandalimin e zjarreve gjatë verës së ardhshme.
Në këtë takim u vlerësua se situata e zjarreve tashmë konsiderohet e tejkaluar. Zëvendëskryeministri Oketa falënderoi strukturat e angazhuara të qeverisë shqiptare dhe shtetet mike që ndihmuan vendin tonë në shuarjen e zjarreve.
Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Lufter Xhuveli vlerësoi se ngritja e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, e cili është i pari në llojin e tij, tregon vëmendjen e madhe të qeverisë ndaj pyjeve dhe mjedisit.
Gjithashtu në takim u vlerësua si një risi mjaft pozitive dhe efikase edhe përdorimi për herë të parë i mjeteve ajrore për shuarjen e zjarreve.
Komiteti Ndërministror i Emergjencës Civile u krijua më 19 korrik 2007, i kryesuar nga Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa në përbërje të të cilit janë Ministri i Brendshëm, Ministri i Mbrojtjes, Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministri i Shëndetësisë dhe Zëvendësministri i Brendshëm.