Shtëpia botuese “Bota Shqiptare” nxori në qarkullimin romanin e shkrimtarit të shquar bashkëkohor spanjoll Arturo Pérez-Reverte, “Mbretëresha e Jugut”. Romani është përkthyer në 40 gjuhë dhe numri i kopjeve shitur në tërë botën ka kapërcyer 20 milionët. Brumin për këtë libër autori e ka marrë nga historia gati e pabesueshme por e vërtetë e një femre, portretin e së cilës ai e skalit me një mjeshtëri të jashtëzakonshme. Në këtë roman Reverte, ka ndërthururur misterin me të vërtetën. Tereza Mendoza, një vajzë e thjeshtë meksikane, që punonte si bariste, arrin të vihet në krye të trafikut të lëndëve narkotike në një rajon të gjerë, duke mposhtur barrierat e maskilitetit dhe kurthet e fatit. Për të mbijetuar ajo do të braktisë Terezën e dikurshme, vajzën e pafajshme e cila i besoi jetën e saj një kontrabandisti. Do t’i duhet të kërkojë brenda vetes gruan e cila është aq e fortë sa për të zbuluar një botë të shëmtuar dhe të rrezikshme si ajo e narkotrafikantëve, një grua të cilën nuk e dinte se ekzistonte. Duke shkelur mbi trupat e të dashurve të saj dhe me nuhatjen e hollë të një profesionisteje Tereza arriti të sundojë botën e paligjshme të narkotrafikantëve dhe të arrijë majat e pushtetit. Ajo u bë “Mbretëresha e Jugut” dhe për të u krijuan balada të cilat edhe sot janë të ndaluara në disa vende të botës. Arturo Pérez-Reverte është një nga autorët më të lexuar dhe më të admiruar në botë dhe “Mbretëresha e Jugut” është një bestseller botëror dhe një nga romanet më të mirë dhe mahnitës.