Prefektura i kërkon

Komuna, për një muaj, ka ngritur brigadën pastruese për vijën bregdetare

Aksioni për largimin e qendrave të zjarrit, bunkerëve, nga plazhi i Semanit, konsiderohet i dështuar. Kjo për faktin se nga 78 bunkerë që regjistroheshin përgjatë bregdetit të Semanit, asnjë nuk është larguar. Aksioni është lënë në mes dhe nuk ka gjasa të rifillojë, edhe pse sezoni turistik në këtë vijë bregdetare ka ditë që ka nisur. Pas kërkesave të vazhdueshme të Komunës së Topojës, e cila administron plazhin e Semanit, së fundmi është Prefektura e Fierit ajo që po interesohet pranë Ministrisë së Mbrojtjes për aksionin e braktisur. Afro dhjetë ditë më parë, me anën e një ceremonie festive, Komuna e Topojës çeli sezonin turistik. Kryetari i komunës, Sotir Zarka, në muajin maj ka mundur të krijojë një brigadë pastruese për vijën bregdetare, ndërsa ka apeluar në mënyrë të vazhdueshme për largimin bunkerëve nga zona e rërës në bregdet. Plot një vit ka kryekomunari Zarka duke apeluar.


Për të përmbushur aksionin e bunkerëve, që duhet të ishin larguar që një vit më parë, kryekomunari i ka dërguar më shumë se tri herë letër Ministrisë së Mbrojtjes dhe deklaron se është duke përpiluar ankesë deri tek Kryeministri. Ai ka vënë në dijeni për më shumë se dhjetë herë edhe institucionin e prefektit.


Sekretari i përgjithshëm i Prefekturës së Fierit, Vasil Ndreko, thotë se: “Aq më shumë që sezoni turistik ka nisur dhe aq më shumë që Fieri ka resurse turistike, duhet angazhimi i të gjithëve”. Sipas tij, në disa pika turistike dhe arkeologjike, kërkohet ndërhyrje urgjente me investime.


“Kërkojmë institucionalisht se çfarë u bë me aksionin e nisur një vit më parë dhe se kur do të jetë afati përfundimtar për rinisjen e procesit të largimit të bunkerëve. është hera e dytë që Prefektura e Fierit i drejtohet institucionalisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe kësaj radhe, një kërkesë i është bërë personalisht edhe ministrit Arben Imami”, sqaroi Ndreko.








#