TIRANE - Mbyllen hetimet për vrasjen e balerinës Sonila Tafa. Burime nga policia bëjnë me dije, se autori i ngjarjes, Artur Kuliçi, akuzohet për veprën penale të "vrasjes me dashje", ndërkohë që bëhet me dije se të gjitha provat dhe materialet e mbledhura nga grupi hetimor implikojnë Kuliçin si autor ngjarjeje.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se autori i ngjarjes, natën e vrasjes është rikthyer në vendin e ngjarjes me mendimin për të qëlluar në drejtim të lokalit të natës "Dream City". Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, edhe pse mbi autorin e vrasjes rëndon akuza e vrasjes me dashje, ende nuk është gjetur arma me të cilën ai ka qëlluar.

Sonila Tafa u vra aksidentalisht mbrëmjen e 5 prillit, teksa ishte duke dalë nga lokali ku ajo kishte kaluar disa orë me shoqërinë e saj. Por, edhe pse nga ajo ditë kanë kaluar afro 3 javë, ende policia nuk ka asnjë shenjë nga autori i dyshuar për vrasjen. Prej kohësh, forcat e policisë janë shprehur se e kanë identifikuar autorin, por ende nuk kanë rënë në gjurmët e tij. Madje, burime nga policia bëjnë me dije se nuk e dinë nëse autori i ngjarjes është në kryeqytet apo ka dalë jashtë tij.

Tafa u vra nga një plumb rikoshet që nuk ishte nisur për të. Pas një sherri në ambientet e lokalit mes një grupi të rinjsh, me të cilët balerina nuk kishte lidhje, autori i ngjarjes është larguar nga vendi i ngjarjes, për t'u rikthyer sërish pak më vonë për të qëlluar në drejtim të hyrjes së lokalit, ku plumbat kanë zënë trupin e balerinës, duke i marrë asaj jetën.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)