Grupi kroat “Zeljezniçar” u nderua dje në mbrëmje me Kupën e Festivalit “Aulona International Folk Festival”, që u zhvillua në skenën verore pranë stadiumit të qytetit të Vlorës. Juria e kryesur nga prof. Fatmir Hysi vlerësoi performancën e këtij grupi, vallet e interpretuara nga djemtë dhe vajzat, të cilat reflektuan traditat folklorike të kësaj zone. Shfaqja e ansamblit “Zeljezniçar" u ndoq me mjaft interes dhe u pëlqye nga artdashësit vlonjatë. Ky vlerësim për grupin kroat pason atë të vitit 2006 në Kinë, kur ai meritoi disa çmime, ndërkohë që ka fituar trofe të tjerë në festivale në Britaninë e Madhe, Austri, Norvegji, Gjermani dhe "Argjiro 2008” në Gjirokastër. Çimet e tjera u morën nga grupi i Shkupit, Ansambli “Tirana” dhe Ansambli grek “Meçovo”, për të kaluar kështu te çmimi special i Bashkisë së Vlorës, i cili u mor nga Ansambli kosovar “Shote Galica” dhe çmimi special i Qendrës Kulturore “Bilbilat e Jugut”, organizatore e festivalit, që iu dha ansamblit “Burimet e Sharrit" nga Maqedonia.







13 Maj 2009