Media
Reagon Ministria e Financave: Nuk kemi ndërmarrë asnjë sulm

Tregu shqiptar i gazetave ka që sot një titull më pak. Gazeta “Tema”, me pronar Mero Bazen, ka mbyllur përfundimisht dyert dje pas një periudhe gati njëvjeçare me probleme. Baze ka deklaruar dje në faqet e gazetës së tij, se data 23 janar ishte dita e fundit e publikimit të saj. Sipas zotit Baze, pamundësia për të mbajtur hapur këtë gazetë erdhi një vit më parë, kur gazeta u detyrua të lironte ambientet pranë ish-tipografisë ushtarake.
Gazeta e cilësoi këtë akt si një veprim arbitrar. Gazeta “Tema” hodhi në gjyq Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Brendshme, me akuzën për shkatërrim të pasurisë dhe të investimit të bërë. Në editorialin e tij të fundit, Mero Baze thotë se Gjykata e Tiranës ende nuk ka zhvilluar seancën e parë të rregullt gjyqësore pas më shumë se një viti.
Në këto kushte dhe në mungesë të plotë të reklamave, Mero Baze pohon se është e pamundur për ta mbajtur hapur këtë gazetë. Mero Baze, i cili drejton edhe një emision televiziv, premton se nuk do të reshtë së shkruari përditë. Por, jo më te “Tema”.
Akuzave të Bazes për qeverinë u është përgjigjur dje Ministria e Financave. Ministria sqaron gjithashtu se kompania në fjalë prej kohësh ka mungesa në deklarimet periodike të veprimtarisë së saj përfshi dhe mosdorëzimin e bilancit financiar të vitit 2008.
“Në 5 vjet, kompania nuk është kontrolluar asnjëherë nga organet tatimore, çka rrëzon pretendimin e Bazes për kontrolle selektive”, vijon reagimi i Ministrisë së Financave.






#