Ministria e Mbrojtjes nuk po bën asgjë për të mbajtur nën kontroll bllokimin e fushës në fshatin Grudë e Re

SHKODËR- Fusha e aviacionit në fshatin Grudë e Re në komunën Rrethina të Shkodrës vazhdon të mbushet nga banorë të ardhur, megjithëse është pronë shtetërore në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Janë rreth 50 ha tokë, e cila dikur shfrytëzohej nga shteti si pistë për uljen e avionëve dhe helikopterëve ushtarakë. Të paktën deri në vitin 2000. Pas këtij viti fusha e aviacionit filloi të zihej pjesë-pjesë nga ndërtime pa leje, si: shtëpi, fusha sporti, dyqane, ndërsa aty filluan të hidhen dhe mbeturina inerte apo plehra. Fusha e aviacionit është ndër të parat e ndërtuara në Shqipëri dhe aty janë ulur dhe ngritur helikopterë të ushtrisë dhe aeroplanë të vegjël me helikë, si dhe janë shpërndarë ndihma dhe janë bërë operacione ushtarake stërvitore... Ajo është ndërtuar para Çlirimit, në vitet 1918-1920 për shërbim të brendshëm të aviacionit. si civil. edhe ushtarak, dhe e ka kryer këtë funksion deri në vitin 1999, ku ajo u shfrytëzua gjatë krizës kosovare, pasi ishte vendosur kampi fushor. Fusha është e përfshirë në planet e zhvillimit prespektiv të Shkodrës, por në vitin 2000 e në vazhdim, aty u dyndën banorë të ardhur që ndërtuan shtëpi, dyqane dhe magazina, mbollën oborre me vreshta, ndërsa mbeturinat inerte të hedhura në vende të ndryshme të saj, si pasojë e ndërtimeve të kryera, kanë bërë që ajo të mos kryejë më shërbimet e dikurshme. Në komunën Rrethinë, në sipërfaqen e së cilës ndodhet kjo fushë, shprehen se ajo është pronë e shtetit dhe konkretisht eMinistrisë së Mbrojtjes, dhe si pushtet vendor nuk ka asnjë të drejtë mbi të. Ndërtimet e shumta në të kanë bërë që bllokimi i saj të mos kontrollohet. Ndërkaq, pronari i saj, Ministria e Mbrojtjes, gjatë gjithë këtyre viteve nuk ka lëvruar asnjë fond për rrethimin, mirëmbajtjen e ruajtjen e fushës së aviacionit në Grudë të Re apo për objektet e tjera ushtarake që ndodhen në këtë territor. Asnjëherë prej vitesh nuk është bërë një rrethim, nuk janë dhënë kurrfarë fondesh dhe nuk është kujdesuar askush për pronën e shtetit shqiptar. Mbushja e fushës së avionëve në Shkodër ka bërë që ajo të mos ekzistojë me si e tillë, ndërsa qyteti më i madh në veri ka humbur edhe një prej pronave tëtij.