Nga Beqë Cufaj


 


Prej pasluftës në Kosovë, pas vështirësive politike që Prishtina ka pasur dhe ka me Beogradin, janë bërë jo pak përpjekje që edhe në sferën e kulturës të gjenden shtigje, të ofrohen mundësi, përgatiten takime dhe me këtë edhe diskutime a shkëmbime mes artistëve nga fushat më të ndryshme të krijimtarisë- të Kosovës dhe Serbisë, Prishtinës dhe Beogradit.


Në shumicën e rasteve, këto përpjekje i kanë patur anët e veta pozitive por jo rrallë ato kanë ditur të jenë edhe me vështirësi të theksuara, keqkuptime, keqinterpretime, thashetheme kuloaresh e çka jo tjetër.


Nuk është se shpikim ndonjë gjë të re nëse themi që kultura e kombeve shumë më të mëdha e fuqishme për nga numri e forca, kultura dhe e kaluara edhe pas luftërave e konflikteve të tmerrshme me dekada e shekuj kanë ditur dhe gjetur rrugët dhe mundësitë për tu ritakuar dhe bashkëpunuar.


Sidoqoftë, dhe këtu duhet ndalur dhe thënë që këtyre urave bashkëpunimi mes popujsh dikur të armiqësuar dhe më vonë paqësuar, në shumicën e rasteve ishte politika ajo që ua krijonte atë klimë të re bashkëpunimi.


Rasti mes Kosovës dhe Serbisë është shumë më specifik. Sepse konfliktit të armatosur dhe paqes mes shqiptarëve e serbëve edhe sot e kësaj dite në mes u qëndrojnë forcat e armatosura ndërkombëtare (NATO) por edhe brigadat e nëpunësve dhe ndërmjetësuesve e ndihmaçarëve civilë ndërkombëtarë. Kjo ka bërë dhe vazhdon të bëjë që kultura dhe me këtë edhe bashkëpunimi të jenë më të veçanta dhe me këtë edhe më të vështira.


Në këtë mes nuk kemi as të mos e fshehim faktin që jo pak intelektualë, artistë, dikur të integruar plotësisht në jugo- sistemin e Titos fusin veshët në lesh dhe sduan tia dinë për atë të kaluar.


Një element tjetër i komplikuar në Prishtinë dhe Kosovë është edhe përzierja herë politiko-patetike e herë aspak praktike, për të mos e quajtur ndryshe, mes Prishtinës e Tiranës. Pra, gjërat nuk kanë rënë në vend.


Nëse për Beogradin sdo tia dijë pothuajse askush- me Tiranën janë vështirësitë që janë- edhe pse këtu ka përparime, ka lëvizje, ka shkëmbime… të cilat edhe skeptikëve do tua mbushin mendjen që megjithatë shtigjet kanë filluar të çelen.


Sidomos kur shohim dyzimin medial atëherë nuk mund të mos jemi optimistë që edhe ai në fusha të tjera të kulturës- libër, teatër, film, art… mund të ndërtohet dalëngadalë i njëjti model.


Thënë troç, mes centristëve kosovarë dhe patetikëve kryesisht politikë dhe pa ndonjë rezultat, do të dalë që me kalimin e kohës, viteve e dekadave edhe në fushën e kulturës do të vijë deri tek ngjizja natyrore edhe në fushën e kulturës mes Prishtinës e Tiranës. Gjithsesi me shumësinë që ky aspekt do të vazhdojë të ketë në koloritet gjuhësore e kulturore.


Në anën tjetër, vijat ndarëse me Beogradin do të vazhdojnë të thellohen edhe më. Edhe pse, herë me kontributin e ndihmaçarëve perëndimorë e herë edhe me angazhime të sinqerta është provuar të ketë shkëmbime në relacionin Prishtinë- Beograd. Dhe është e çuditshme, që në këtë mes sidomos Prishtina ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur, shumë me e hapur kundruall Beogradit. Dihet: është ajo klientela serbe kulturore, dhe jo vetëm, që ka pranuar dhe pranon të jetë e vëmendshme dhe pozitive ndaj Prishtinës. Të botojë ndonjë libër, prezantojë ndonjë shfaqje e film nga Kosova apo edhe organizojë takime e shkëmbime të njerëzve të kulturës.


Por ajo elitë e Beogradit, dhe ky është realitet, është në margjinat e shoqërisë, mentalitetit, mirë e mikpritjes serbe. Një periferi e cila do të shkonte sa votat e një Çedomir Jovanoviqi prej 5 a 6 për qind të serbëve të kulturës që e pranojnë pavarësinë (edhe kulturore) të Kosovës.


Sepse në morinë e skandaleve të tyre e racizmit, mund të përmendet vetëm rasti i fundit, i kërcënimeve ndaj djemve e vajzave të Kosova WEB 2.0 për të mos shkuar në Beograd e që shënon atë morinë e mentalitetit të Daçiqit, dhe atë në kontinuitet, sesi arti e kultura e Kosovës atje paraqitkan rrezik.


Në anën tjetër, edhe përkundër faktit që janë periferi e kulturës serbe, kolegët e kulturës nga ky vend fqinj i kanë patur, i kanë dhe do ti kenë dyert e hapura në Prishtinë e gjetiu në Kosovë. Rasti më i ri do të jetë ai i Festivalit të Letërsisë Polip, kur në Prishtinë do të vijnë një mori shkrimtarësh, kritikësh e botuesish nga Serbia. Prishtina do ti presë dhe përcjellë ata siç edhe i ka hije. Në këtë nuk dyshon askush.


Ajo që shqetëson është që Beogradi, shumica absolute e atjeshme, nuk do të heqë dorë në qasjen e saj institucionale ndaj Kosovës. Përmes kurtheve e pabesive nga më të ndryshmet.


Rasti i fundit ka të bëjë me një ende jo, por së shpejti, dikund nga qershori, skandal, në të cilin, pa pyetur askush (aq më pak përgjegjësit e Ministrisë së Kulturës së Qeverisë sonë), në Maribor, njërin prej kryeqyteteve kulturore të Europës në vitin 2012, para dy javësh është biseduar për atë që pos Beogradit, në vitin 2020, si qytet partner për tu bërë kryeqytet kulturor i Evropës është propozuar edhe Prishtina.


E tradita europiane e të qenit kryeqytet kulturor i Europës nuk është një punë e vogël. Përkundrazi. Është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në Europë qe tashmë 23 vite. Një traditë kjo kur dy qytete europiane vëllazërohen përmes të qenit pika të vështrimit e vërshimit nga fushat kryesore të artit e krijimtarisë.


Prandaj duhet thënë qysh tash: nëse serbët kruhen me supozimin që deri në qershor ta fusin edhe Prishtinën në atë vorbull, kujtoj që këtij propozimi duhet thënë qysh tashti jo. Sepse nuk i shkon dhe para së gjithash nuk qëndron që Prishtina të bëhet kryeqytet kulturor i Europës, përmes derës së vogël apo të madhe- me Beogradin.


Kjo gjë duhet bërë qysh tashti e qartë- nëse dikush nga Prishtina i ka gishtat po ashtu në këtë ide të mbrapshtë. Tekefundit, nëse vërtet e kanë sosur ata në Bruksel të na fusin edhe neve në këtë valle të mirëpritur europiane, atëherë mund të presim…


Edhe ashtu Tirana është propozuar për vitin 2025 dhe pse jo… deri në atë vit o do biem pak në binarë dhe me këtë do bëhemi me Tiranën o do shkallojmë fare dhe gjithandej si shqiptarë. Me a pa kulturë.