Të tjera rreth shkrimit Ish-kryeprokurorja: Unë deputete?





TIRANE - Media online Balkan Insight shkruan sot, se Presidenti shqiptar Bujar Nishani po bllokon rikthimin në punë si gjyqtare të ish-prokurores së Përgjithshme, Ina Rama.

Në bazë të ligjit, ish-shefja e akuzës shqiptare, ka të drejtën të kthehet në vendin e saj të mëparshëm të punës pas përfundimit të mandatit në krye të Prokurorisë, një nen i vendosur qëllimisht për të krijuar siguri te kryeprokurori.

Por, ndërkohë që Ina Rama ka zgjedhur pikërisht këtë opsion, shkruan Balkan Insight, për t’u kthyer në punën e saj të mëparshme si gjyqtare ne Gjykatën e Apelit të Tiranës, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka një muaj e gjysmë që nuk e fut në rend dite kërkesën e saj.

Artikulli i Balkan Insight, thotë se presidenti Nishani është duke përdorur pozicionin e tij si kryetar i KLD-së për të bllokuar kthimin në punë si gjyqtare të Ina Ramës. Një zëdhënës i Presidencës, i është përgjigjur Balkan Insight, se ligji nuk përcakton ndonjë afat për shqyrtimin e kërkesës, kurse artikulli kujtonte edhe etiketimet që mori ish-kryeprokurorja nga drejtuesit e mazhorancës pas ngjarjeve të protestave të opozitës kundër qeverisë, më 21 janarin e dy viteve më parë.

Vetëm një ditë më parë, Ina Rama mohoi insinuatat e bëra nga Partia Demokratike, se do përfshihej në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste, duke deklaruar se dëshiron të bëhet gjyqtare e Apelit.

Redaksia Online
(pn/Gre.M/Shqiptarja.com)