Ndërsa mediat e huaja i kanë kushtuar vëmendje faktit se prokuroria po kërkon burgosjen e ish- kryeministrit shqiptar, Ilir Meta, mediat në Shqipëri janë munduar që ta fshehin një lajm të tillë sa më shumë, duke u bërë edhe qesharakë. Kështu, gazetat e qeverisë si Panorama dhe Gazeta Shqiptare nuk e kanë lajm të parë, por kanë preferuar të merren më mirë me historinë e tre adoleshenteve që kanë vjedhur dajën, sesa me atë që është lajmi i vitit për shqiptarët. Po kështu kanë bërë edhe televizionet e qeverisë, që e rendisin lajmin për pretencën e Metës mes lajmeve të kronikës së zezë. Ndërkohë lajm kryesor për ta është vizita e kryeministrit Sali Berisha në Francë, ku ka folur në një seminar. Berisha, qeveria e të cilit është damkosuar si simbol i pandëshkueshmërisë nga Bashkimi Europian, foli për modelin e ri ekonomik të Shqipërisë, për konkurrencën që po i bën Kinës, por edhe për korrupsionin, për të cilin tha se është armiku më i madh në vend. Shpresojmë që Meta të mos e ketë keqkuptuar këtë deklaratë të Berishës pikërisht ditën kur jepej pretenca e tij. Dy fjalë tani për korrupsionin. Sipas mendimit tim, përfundimisht  është  Mater-Matrix e të gjitha të këqijave të një vendi të lirë.  Prandaj luftimi i tij në mënyrë të përhershme  është kushti  sine qua non për konsolidimin e të drejtave të njeriut,  sepse nuk ka asnjë faktor tjetër që i prek të drejtat e njeriut në një shoqëri të lirë përveçse korrupsioni, tha Berisha në Francë.