10/08/2010 Kunati i kapobandës së Durrësit Lulzim Berisha në kërkim nga FBI-ja


Margolin: Dyshojmë se fshihet në Quins dhe Nju-Xhersi


TIRANE- Kunati i Lulzim Berishës, Plarent Dervishaj, që akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për një sërë vrasjesh në qytetin e Durrësit, dyshohet se strehoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lajmi është publikuar nga gazeta prestigjioze amerikane “New York Post”, e cila duke iu referuara agjentit special James Margolin të FBI-së tregon se strukturat e hetimit janë duke kryer një sërë kërkime për arrestimin e 37-vjeçarin shqiptar. Sipas raportimit të kësaj gazete, 37-vjeçari së bashku me një anëtar tjetër të bandës së Durrësit nuk janë ulur ende në bankën e të akuzuarve në procesin gjyqësor që zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Më tej në shkrim thuhet se Dervishaj konsiderohet si armiku kryesor i policisë shqiptare dhe për pasojë kjo fundit është duke kryer një sërë kontrollesh dhe operacionesh operative për arrestimin e tij. Besohet se Dervishaj është larguar nga Shqipëria në vitin 2006, duke i shpëtuar arrestimit, ndërkohë që autoritetet njujorkeze besojnë se ai aktualisht fshihet në Nju-Jork dhe se ka lidhjet e tij në qytetin e Quinsit dhe Nju-Xhersit. Ndërkohë pak ditë më parë policia e Durrësit publikoi emrin e tij mes dhjetë personave më të kërkuar nga kjo drejtori. Aktualisht në bankën e të akuzuarve si pjesëtarë të bandës së Durrësit janë ulur 17 të pandehur: Lulzim Berisha, Indrit Dokle, Altin Olloni, Kujtim Buna, Sardian Sulejmani, Adriatik Coli, Julian Meçe, Plaurent Dervishaj e Indrit Taullau, Jurid Xhunga, Edvin Hoxhosmani, Selman Heti, Spartak Kalthi, Alban Neli, Altin Nikolla, Ahmet Ajeti dhe Osman Karpuzi.


Ndarja e bandës


Të pandehurit e bandës së Durrësit akuzohen për të paktën nëntë vrasje, 11 plagosje, mbajtjen peng të një dëshmitareje si dhe disa atentate. Dyshohet që banda të ketë vepruar që nga viti 1992 deri në 2005 në qytetin e Durrësit. Fillimisht vepronte si një e vetme, por për shkak të prishjes së pazareve u nda në dy fraksione. Hakmarrja e ashpër mes grupeve rivale prodhoi dhjetëra viktima. Lulzim Berisha u arrestua në vitin 2006 në Maqedoni.