Në cilësinë e personit nën hetim për parapërgatitjen e ngjarjes së Gërdecit, Fatmir Mediu ka mohuar me forcë dhe argument çdo dyshim të ngritur nga prokurorët



TIRANË - “Nuk kam kryer asnjë shkelje ligjore në aktivitetin tim si ministër i Mbrojtjes”. Kështu e ka nisur rrëfimin e tij në prokurori Fatmir Mediu, i cili për afro 7 orë rresht u është përgjigjur pyetjeve të dy prokurorëve të çështjes lidhur me pozicionin e tij në ngjarjen tragjike të Gërdecit. Sipas burimeve të rezervuara brenda grupit hetimor, mësohet se ish-ministri, i cili është person nën hetim për “shpërdorim detyre” rreth demontimit të predhave që kryhej në fabrikën e Gërdecit, i është përgjigjur me argumente çdo pyetjeje të drejtuar nga prokurorët Kujtim Luli dhe Arqile Koca. Mësohet se gjatë dëshmisë së tij, Fatmir Mediu ka kundërshtuar me forcë dhe argumente, të vlefshme sipas tij, çdo dyshim të ngritur nga prokurorët për një implikim të mundshëm në “parapërgatitjen” e ngjarjes tragjike të 15 marsit, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë. I thirrur tri ditë më parë nga organi i akuzës, ish-ministri i Mbrojtjes u paraqit në Prokurorinë e Përgjithshme rreth orës 10:00 të mëngjesit të djeshëm, i shoqëruar edhe nga dy përfaqësuesit e tij ligjorë, ish-Prokurori i Përgjithshëm Petrit Serjani, dhe ish-drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, Ardian Visha. Pasi u prit nga dy prokurorët, që për afro pesë muaj kanë hetuar veprimtarinë e tij gjatë kohës që mbante postin e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu u ngjit në katin e katërt të Prokurorisë së Përgjithshme, për të dalë vetëm pas 7 orësh. Burime të rezervuara thanë se fillimisht ishte z. Mediu, ai që nisi rrëfimin e tij, duke deklaruar gjithçka dinte për çështjen që po hetohet. Më pas e kanë marrë situatën “në dorë” prokurorët, që i kanë drejtuar një sërë pyetjesh ish-ministrit të Mbrojtjes, kryesisht rreth urdhrave dhe akteve nënligjore të lëshuara prej tij në ndihmë të procesit të demontimit që realizohej në Gërdec nga firma “Albademil”, me administrator Mihal Delijorgjin. Mësohet se pjesa më e madhe e seancës së pyetjeve është përqendruar mbi dy urdhrat e ministrit të Mbrojtjes, nr. 550, datë 25 korrik 2007 dhe nr. 2044, datë 7 dhjetor 2007, për kalim municioni ndërmarrjes “Meico”. Sipas burimeve, mësohet se seanca e pyetjeve që zgjati rreth 7 orë u përqendrua mbi anën procedurale të çështjes, kryesisht rreth urdhrave apo aktet e tjera nënligjore, që sipas prokurorisë implikojnë ish-ministrin e Mbrojtjes në ngjarjen e Gërdecit. Të njëjtën gjë pohoi edhe njëri prej përfaqësuesve ligjorë të Fatmir Mediut. Rreth orës 17:10, Ardian Visha, ish-funksionar i lartë në Prokurorinë e Përgjithshme, deklaroi para mediave se marrja në pyetje e Fatmir Mediut ishte një procedurë hetimore jo vetëm e mirëpritur nga ana e ish-ministrit, por edhe e kërkuar prej kohësh. “Deklaruam gjithçka që ish-ministri Mediu di për ngjarjen e Gërdecit. Do të vijohet me procedurat e prokurorisë. Fatmir Mediu nuk ka bërë asnjë shkelje në detyrën e ish-ministrit të Mbrojtjes”, - tha përfaqësuesi ligjor i Fatmir Mediut, Ardian Visha.

 

 

Ish-ministri për drekë në prokurori

Pas 7 orësh qëndrim në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, Fatmir Mediu nuk pranoi t’u përgjigjet interesimit të mediave, të cilët prej orësh ishin në pritje të ish-ministrit të Mbrojtjes. Me një pamje të qetë, kreu i republikanëve hipi në automjetin tip “Benz” që e priste në hyrjen kryesore të prokurorisë dhe më pas u largua. I kontaktuar nga “Korrieri”, ish-ministri i Mbrojtjes tha se “kishte ngrënë drekë” në organin e akuzës, aty ku qëndroi për afro 7 orë. Në fakt, të njëjtin pohim Mediu ka bërë edhe për disa media të tjera, të cilat kanë shprehur interes për vendndodhjen e tij, pas vonesës prej rreth 7 orësh dhe dezinformacioneve të disa prej prokurorëve që janë pjesë e grupit hetimor të dosjes “Gërdeci”. Në prononcimin për “Korrierin”, ish-ministri i Mbrojtjes tha se tashmë procesi ka marrë një rrugë ligjore dhe procedurialisht po ndiqet nga përfaqësuesit e tij ligjorë. “Nuk mund t’i shtoj asnjë presje deklaratës që dha avokati im”, - u shpreh për “Korrierin” Fatmir Mediu.