Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, në kundërpërgjigje të deklaratës së kreut të PS-së, Edi Rama, kërkoi që "Rama vetë dhe me zëdhënësit e tij në vend që të pranojnë humbjen kalojnë nga trillimi në trillim, nga kërcënimi në kërcënim". Partia Demokratike i kërkoi Ramës të heqë dorë nga presionet dhe kërcënimet ndaj institucioneve vendimmarrëse për procesin zgjedhor, të pranojë humbjen dhe verdiktin e qytetarëve shqiptarë. Zëdhënësja Mëhilli sqaroi se nga ana tjetër PD-ja i rikujton kreut të PS-së se "në rajonin e Ballkanit ka pasur vetëm një politikan, i cili pas çdo disfate deklaronte se ndihej më i fortë se kurrë dhe ky ishte Sllobodan Millosheviç". Mëhilli nënvizoi se "çdo imitim i tij është një donkishotizëm". Nga zgjedhjet, vijoi Mëhilli, nuk ka të humbur ndërsa përpjekja për të shkelmuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë është thjesht përpjekje maskarenjsh.