Nga Express më 26 prill 2011 në ora 12:55

Agon Mehmeti është lënduar sërish. Sulmuesi kosovar është detyruar ta lëshojë fushën në sfidën e Malmos ndaj Elfsborgut. 5 minuta pa përfunduar pjesa e parë, ai është zëvendësuar nga bashkëkombësi Dardan Rexhepi.



Mehmeti po lëngonte nga një lëndim në kofshën e këmbës së majtë dhe pasi e pa që diçka nuk po funksiononte, e kërkoi zëvendësimin.



“Nuk është ija, por diçka në kofshë. Kam ndier dhimbje të vogla edhe në dy ndeshjet e fundit. Nuk dëshiroja të rrezikoj asgjë, aq më pak për faktin se ndeshja zhvillohej në bari artificial”, theksoi 21 vjeçari për ueb faqen sydsvenskan.se.



Por, ky lëndim nuk duket të jetë brengosës për futbollistin kosovar, i cili beson se do t’i kthehet fushës së blertë në një të ardhme të afërt.



“Tash i kemi disa ditë para ndeshjes së radhës dhe me rehabilitim shpresoj që gjithçka të jetë në rregull”, vazhdoi ai. Malmo e humbi këtë ndeshje me rezultat 3:0.