Nga RUSHAN DOSTI


Vetëm 24 orë ka mbetur skuadra beratase pa trajner, pasi kryebashkiaku Nasufi, pas bisedave intensive, ka vendosur të rikthejë në krye të pankinës beratase trajnerin vlonjat Eqerem Memushi. Ai është përzgjedhur mes 4 kandidaturave që garonin për stolin e Tomorit, ku bënin pjesë figura të njohura, si ajo e Kristaq Miles, Artan Banos dhe Gëzim Gegës.


Natyrisht që Nasufi, edhe me pëlqimin e gjithë faktorëve të tjerë, ka hedhur firmën për vlonjatin Memushi, një figurë kjo mjaft e njohur dhe e dashur për futbolldashësit beratas. Memushi ka qenë trajner i Tomorit në fazën e parë të edicionit futbollistik 20102011 dhe është ai arkitekti i skuadrës së superligës.


Largimi i tij nga Tomori dhe zëvendësimi nga lushnjari Artan Bano jo vetëm që ka qenë një mister, por edhe një peng i sportdashësve beratas, të cilët me rikthimin e tij në krye të Tomorit, përveçse një detyrimi qytetar, kanë shlyer edhe një borxh ndaj tij. Memushi është prezantuar në krye të skuadrës dhe ndryshe nga paraardhësi i tij Daiu, ka nisur menjëherë stërvitjen në mjediset e stadiumit të vjetër të Beratit.


Natyrisht që ndërprerja e kampionatit ka qenë një fat për trajnerin beratas, i cili gjatë kësaj kohe do të zhvillojë një fazë intensive stërvitore, por edhe do të njihet me grupin e lojtarëve. Me ardhjen e Memushit, pritet që të kemi një Tomor tjetër, ndryshimi i të cilit do të duket që në takimin e rëndësishëm me Laçin, takim që do të luhet në qytetin e Lushnjës pa praninë e spektatorëve.