Kroati Barisiç nuk po bind stafin, por ka nënshkruar mbrojtësi slloven, Almir Sulejmanoviç, që është blerja e radhës e Skënderbeut në merkaton e verës. Burime zyrtare në klubin korçar konfirmuan se është arritur akordi me lojtarin 33-vjeçar. Ai mbërrin sot në Korçë për të firmosur zyrtarisht kontratën. Sulejmanoviç e mbylli sezonin te skuadra e Elbasanit, e cila zbriti nga Superiorja. Nga sa mësohet, sllovenin e pëlqen shumë trajneri Shpëtim Duro. Ardhja e tij shton konkurrencën në mbrojtjen e korçarëve, ndërkohë, nuk do të ishte çudi që Almir Sulejmanoviç ta niste si titullar aventurën te Skënderbeu. Mbrojtësi me eksperiencë ka luajtur më parë me Rudar Velenjën në kampionatin slloven. Kulmi i tij ka qenë aktivizimi te klubi i njohur belg, Genk. Gjithashtu, slloveni ka luajtur edhe me ekipin ukrainas, Zoria Lugans.