Në organizatat rajonale Kosova mund të marrë pjesë vetëm me fusnotë, që nuk nënkupton statusin. Kështu citojnë mediat e Beogradit ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivan Mërkiçin.


Sipas tij, Kosova, pavarësisht nga Marrëveshja e arritur në Bruksel, nuk do të mund të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja dhe Këshilli i Europës, por vetëm në organizata rajonale.


Marrëveshja që kemi arritur me Prishtinën nuk ka asnjë lidhje me anëtarësimin e organeve të Kosovës në OSBE dhe Këshillin e Europës. E dimë se Prishtina e do këtë, por ajo është e vetëdijshme se nuk mund ta realizojë pa marrëveshjen përfundimtare rreth statusit të saj ka theksuar Mërkiç.


Sipas tij, anëtarësimi në Këshillin e Europës presupozon dy parakushte: të jetë kandidat për anëtarësim në OKB dhe që pranimin e saj ta mbështesin dy të tretat e shteteve që janë në atë organizatë.


Anëtarësimi i Kosovës në OSBE nuk mund të bëhet pasi Serbia e Rusia kanë të drejtën e vetos ndaj pranimit të anëtarëve të rinj, e anëtare mund të bëhen vetëm shtetet dhe jo territoret, ka thënë Mërkiç për Novostin.