Papa Benedikti ka mbajtur një meshë në vendin, ku kanë qenë dy kullat binjake në Nju-Jork, ku bekoi vendin me ujë të shenjtë dhe ndezi një qiri në kujtim të viktimave të sulmit terrorist.

Ati i Shenjtë takoi edhe të mbijetuar dhe të afërm të viktimave, që humbën jetën në këtë vend apo në Pentagon, në avionin që u rrëzua në Pensilvani. Papa foli edhe për vështirësitë me të cilat ai u përball, ndërsa rritej në Gjermaninë naziste. Duke folur në një miting të të rinjve katolikë në Nju Jork, ai i përshkroi nazistët si mostra, që kishin mohuar Zotin dhe si rrjedhim ishin zhveshur nga çdo gjë e vërtetë dhe e mirë. Kjo është hera e parë, që kur u zgjodh si Papë tre vjet më parë, që ai flet publikisht lidhur me përvojën e tij si adoleshent. Papa Benedikti u detyrua të futej në rininë naziste dhe nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, u rekrutua në ushtrinë gjermane para se të kapej nga amerikanët.