Autori i Lajmit: Suela Topi
Ilir Meta nuk do të jetë më deputet i Skraparit. Vendimin e tij kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim e ka bërë të njohur dje gjatë një takimi të zhvilluar me personat që e kanë votuar atë prej vitesh. Lëvizja Socialiste për Integrim është në këtë mënyrë partia e parë politike në vend që nis fushatën zgjedhore me detaje konkrete. Ajo ka prezantuar dhe kandidatin për deputet që do të zëvendësojë Metën, Nasip Naçen, i cili ka një karrierë të gjatë si prokuror. Naçe tashmë ka dhënë dorëheqjen dhe, siç duket, do t i përkushtohet politikës si fillim, duke kandiduar nën siglën e LSI-së në Çorovodë. Meta ka qenë deputet i kësaj zone që nga viti 1992. Ai u ka kërkuar ndjesë qytetarëve për largimin duke konfirmuar se do të jetë në krye të fushatës zgjedhore në Tiranë. Gjatë takimit, Meta është ndalur tek drafti i ri i Prokurorisë, i paraqitur nga Qeveria. Sipas tij, Kryeministri po ushtron presion mbi prokurorët që të mos nxjerrin të vërtetat e mëdha.

Deklarata

Meta zhvilloi një takim të zgjeruar me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Çorovodë. Në këtë takim mjaft entuziast, ishin të pranishëm me qindra banorë të këtij rrethi. Lideri i LSI-së shoqërohej nga sekretari Politik i qarkut të Beratit, Nasip Naço, si dhe nga anëtarët e Kryesisë, Spartak Braho dhe Ardit Çela, si dhe nga drejtues të tjerë të LSI-së në këtë qyetet. Në këtë takim, Meta prezantoi si kandidat të LSI-së në Skrapar, Nasip Naçon. “Populli i Skraparit më ka pritur me shumë dashuri që në vitin 1992, për t u bërë deputet në një kohë shumë të vështirë dhe të acartë për të majtën, por edhe për demokracinë”, - tha ai. Meta tha se populli i Skraparit ka treguar gjithnjë mençuri, duke mos e besuar Sali Berishën as atëherë dhe duke votuar për alternativën e majtë, që në atë kohë dhe në vazhdim. Kreu i LSI-së shprehu bindjen se Skrapari ka shumë arsye të votojë për LSI-në, ka shumë arsye të votojë edhe për Nasipin, pasi Skrapari do të votojë për një forcë politike që e do dhe që, pa dyshim, po pushton të gjithë Shqipërinë, por në radhë të parë, kryeqytetin tonë, Tiranën. “E gjithë Shqipëria do të përqafojë alternativën tonë dhe ne këtë e shohim kudo. Sistemi i ri, pavarësisht nga disa vështirësi dhe disa probleme që ka, është një sistem shumë i favorshëm për ne. Është sistemi që më shumë se çdo parti tjetër favorizon LSI-në në kushtet aktuale”, - tha ai. Ju e dini, shtoi Meta, se sa e rëndësishme është që ne të vijmë në qeverisjen e vendit, jo vetëm për të ndalur shkatërrimin e plotë të vendit, nga gangsterizmi i Sali Berishës dhe i Fazliçëve që po i dalin përditë përpara opinionit publik, por njëkohësisht edhe për t i dhënë fund një varfërie të paparë në shumicën e Shqipërisë, përfshirë edhe Skraparin, ku siç e shikoni, pothuajse asgjë nuk ka lëvizur, sepse kjo është një qeveri që nxit urrejtjen brenda vendit dhe ndaj gjithë atyre vendeve apo krahinave, të cilat nuk i sheh si përkrahëse të saj”, - tha Meta. Ai u kujtoi skraparlijve sa herë e kishte ngritur në këto dy vjet çështjen e rrugës për të përfunduar, deri në Çorovodë, por Berisha ka premtuar dhe ndërkohë nuk ka bërë asgjë. “Ai u angazhua disa herë që do të "bënte namin" dhe ju e shikoni, dhe ne nuk presim që ai të bënte ndonjë çudi në këto muajt që kanë mbetur”, - u shpreh ai. Më pas, Meta theksoi se koha po tregon dhe do të tregojë se LSI është vërtet ajo forcë politike, e cila do ta rilindë të majtën, sepse do t i japë jetë, do t i japë krahë asaj vlere të jashtëzakonshme të së majtës, që u shkatërrua, për fat të keq, në Partinë Socialiste, që është në radhë të parë solidariteti njerëzor dhe shoqëror. Më pas, duke folur për presionin e Qeverisë ndaj Prokurorisë, Meta tha se Saliu do ligj për Prokurorinë, sepse do t i terrorizojë prokurorët, që ata të mos nxjerrin as të vërtetat e Gërdecit, as të rrugës Durrës-Kukës, as këtë të pastrimit të parave, që ka lidhje me Fazliçin. Në fund, Meta garantoi popullin e Skraparit, por edhe të gjithë Shqipërisë, se në vitin 2009, LSI do të jetë ajo forcë që do të drejtojë qeverisjen e vendit, por edhe që do të kthejë qeverisjen me sytë nga populli, me sytë nga njerëzit dhe nga hallet e tyre.

Ky lajm është publikuar: 16/10/2008