TIRANË- Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta deklaroi sot se statusi i Kosovës është një çështje legjitime që i takon të kaluarës.

Përmes një deklarate për mediat, numri dy i qeverisë theksoi se cdo iniciativë që vë në diskutim autoritetin e GJND-së, është e dëmshme për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Duke iu referuar diskutimeve në Këshillin e Sigurimit për Kosovën, Meta nënvizoi se pas vendimit të GJND-së është e rëndësishme të shikohet përpara.

"Për ne, çështja e pavarësisë së Kosovës dhe statusi i saj, tashmë është jo vetëm një çështje plotësisht legjitime, por edhe që i takon të kaluarës", theksoi Meta.

Lidhur me marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, shefi i diplomacisë shqiptare theksoi se "diskutimi për bashkëpunim mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm, por për çështje të një rëndësie dhe karakteri praktik, në interes të qytetarëve dhe të integrimit europian të të dy vendeve".
(e.n/BalkanWeb)