Të tjera rreth shkrimit FOTO

Bashkëjetesa fetare është një nga vlerat më të mëdha që kemi ne si shoqëri dhe si komb. Kështu ka deklaruar kryetar i Kuvendit Ilir Meta gjatë një darkë iftari me rastin e Muajit të Ramazanit ku të ftuar ishin përfaqësues të lartë nga të gjitha komunitetet fetare në vendin tonë dhe deputetë. Meta u shpreh se pavarësisht besimit dhe bindjeve politike që ndajmë, të gjithë lutemi në shqip. Kryetari i Kuvendit tha se Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit na kujton të gjithëve forcën e shenjtë të sakrificës dhe durimit, dritën e virtytit dhe vlerave njerëzore.

“Muaji i Madhnueshëm i Ramazanit na kujton të gjithëve forcën e shenjtë të sakrificës dhe durimit, dritën e virtytit dhe vlerave njerëzore, peshën e modestisë dhe shërbesës, ndihmën dhe solidaritetin ndaj më të dobëtëve, vlera të cilat, në këtë botë të turbullt, me kaq shumë dhembje e humbje, me kaq pasiguri, janë një nga rrugët më të sigurta drejt shpëtimit dhe ndryshimit për mirë të vetë botës. Sepse qëllimi i tij është pastrimi i zemrës, shpirtit, moralit dhe triumfi mbi të keqen, veset e të shëmtuarën”, tha Meta.

Sipas Kryetarit të Kuvendi, besimi tek Zoti dhe besimi tek njeriu, dashuria për Zotin dhe dashuria njeriun, mund ta çojnë një shoqëri përpara.
Më tej, Kryetari i Kuvendit theksoi se në këtë muaj ne kemi mundësi dhe të gjykojmë me qetësi për një nga vlerat tona më të mëdha si shoqëri dhe si komb, që është bashkëjetesa e mrekullueshme e besimeve të ndryshme në vend dhe toleranca shembullore mes tyre.


Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)