Nga Express më 10 maj 2011 në ora 10:10

Trajneri i Interit, Leonardo, ka pranuar se ish klubi i tij Milan e meritoi titullin e kampionit në Serie A, pasi mori pikën e nevojshme kundër Romës të shtunën që ia siguruan Scudetton e parë nga 2004.



Leonardo braktisi Rossonerët gjatë verës së vitit të kaluar mas lidhjeve 13 vjeçare me klub dhe në dhjetor zëvendësoi Rafael Benitezin në Inter. Por, strategu brazilian nuk ankohet që Milan përfundoi dominimin e Interit prej pesë titujve të njëpasnjëshëm. “Mundohem të përcjell rrugën time”, tha Leonardo për ueb faqen e Interit.



“I vetmi pendim i imi është që nuk fituam, pasi ishim në pozitë të mirë për t’i tejkaluar. Mirëpo, Milan e meritoi titullin. Ata janë ekip i mirë dhe nuk kam probleme nëse shikoj të kaluarën time. A i kam dërguar mesazh nënkryetarit të Milanit Adriano Galliani? Kjo mbetet mes nesh. Çështjet private mbeten private”, deklaroi ai.



Ndërsa mesfushori i Interit, Esteban Cambiasso nuk beson se rivali i qytetit Milan do të mbetet në krye të futbollit italian për një kohë të gjatë. “Ne nuk duhet të bëjmë dramë që Milan fitoi titullin”, tha ai për Sky Sport Italia.



“Ne e kemi ditur se mund të ndodhë diçka e tillë pas pesë viteve të suksesshme. Sigurisht se na vjen keq që e kemi humbur Scudetton, por tashmë kemi filluar të punojmë për rikthimin e tij. Kemi fituar dy tituj këtë sezon (Superkupën e Italisë dhe Kampionatin botëror të klubeve), kemi siguruar një vend për Ligën e Kampionëve dhe tani duhet të mendojmë për Coppa Italia”, përfundoi Cambiasso.