Gjiganti italian Milan ka zbarkuar në Kosovë me projektin Milan Junior Camp, për të zbuluar talentë të rinj. Rreth 200 të rinj kosovarë do të ndiqen me kujdes nga trajnerët Rossonerë, të cilët më pas do t’i seleksionojnë 5 më të mirët, që do të shkojnë në San Siro. Përfaqësuesit e klubit italian janë të bindur se nga Kosova nuk do të kthehen duarthatë.

Klubi më i trofeshëm në botë, AC Milan nga e hëna e ka shtuar listën e vendeve ku zhvillohet projekti Milan Junior Camp. Në fakt, nga tash e tutje ky projekt do të shtrihet edhe në Kosovë.

Rreth 200 të rinj kosovarë i janë bashkuar këtij projekti me ëndrrën e tyre që një ditë ta veshin fanellën kuq e zi. Ata mund t’i mësojnë sekretet e futbollit italian drejtpërdrejt përmes mësimit nga trajnerët e Milanit, të cilët e bëjnë një gjë të tillë në 40 vende tjera botërore.

Milan Junior Camp në Kosovë, i mundësuar nga Grupi ‘Taçi Oil’ në bashkëpunim me Swiss Diamond Hotel dhe klubin e futbollit Prishtina, ka nisur dje dhe do të përfundojë të premten.

Nga 200 fëmijë të moshave nga 8 deri 14 vjeç, sa do të jenë prezentë, 5 më të mirët do ta kenë mundësinë të shkojnë në San Siro, ku do t’u bashkohen talentëve të tjerë nga mbarë bota.

“Duam t’ua ofrojmë shansin djelmoshave të rinj kosovarë që të marrin pjesë në kampet e AC Milanit. Në këtë mënyrë, ata do ta kenë mundësinë ta veshin fanellën kuq e zi. Jam shumë i gëzuar që një klub me emër të madh si ky ka shprehur interesimin që ta zhvillojë një eveniment kaq të rëndësishëm në Kosovë”, deklaroi në konferencë për shtyp Marco Schembri, menaxher i përgjithshëm i shoqërisë që administron Milan Junior Camp në Evropën Lindore.

“Kam pasur gjithmonë besim në potencialin e zonës së Ballkanit dhe jam i sigurt se fëmijët që do të shfaqin talent, do të ndiqen nga afër nga AC Milan. Madje kam dëgjuar se në përfaqësuesen e Zvicrës luajnë gjashtë futbollistë kosovarë, por edhe për të tjerë që luajnë me sukses në ligat evropiane”, shtoi Schembri.

Edhe njëri nga trajnerët që do t’i ushtrojë fëmijët kosovarë, Davide Conti, shprehu gatishmërinë e tij që të punojë dhe ta nxjerrë ‘ajkën’ e talentëve që posedon Kosova.

“Do të punojmë këto ditë me djelmoshat e rinj kosovarë dhe do të mundohemi ta nxjerrim më të mirën nga ta. Do të kemi kujdes të shtuar ndaj atyre që shquhen”, theksoi Conti.

Ndërkohë, presidenti i gjigantit të naftës ‘Taçi Oil’, Rezart Taçi nuk ishte i pranishëm në konferencë, por në vend të tij në konferencë u paraqit Anika Taçi, zëvendëspresidente e këtij grupi.

“Ne kemi zgjedhur të jemi në Kosovë me Milan Junior Camp, duke përmbushur kështu qëllimin e këtij projekti, për të përfshirë në të edhe këtë vend kaq të dashur për ne. Unë e di që futbolli është kaq i dashur në Kosovë dhe ka shumë shkolla dhe akademi që nxisin talentë dhe rrisin cilësinë dhe dashurinë për këtë sport. Jam e bindur se gërshetimi i kësaj tradite me përvojën e jashtëzakonshme të këtij klubi legjendar do t’u sigurojë fëmijëve kosovarë një të ardhme që do na bëjë krenarë. Tek e fundit, ne jemi një”, tha zonja Taçi.

Në të ardhmen, Milani edhe në Kosovë

Pas Shqipërisë, gjiganti italian Milan mund të zbarkojë edhe në Kosovë në të ardhmen. Zëvendëspresidentja e Taçi Oil, Anika Taçi, nuk e ka përjashtuar një mundësi të tillë. Ndërsa njëjtë mendon edhe menaxheri Marco Schembri.

“Ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit. Tash e tutje planifikojmë ta mbajmë rregullisht kampin Milan Junior Camp. Kush e di, në të ardhmen mund ta zgjerojmë bashkëpunimin”, ishte i shkurtër Schembri.

Baresi: Kosova ka talentë

Legjenda e futbollit italian, Franco Baresi ka zbritur të dielën në Kosovë, si pjesë e kontingjentit të projektit Milan Junior Camp, që ka filluar të hënën për herë të parë në vendin tonë.

Menaxheri për marrëdhënie publike i Milanit ka mbetur i impresionuar me mikpritjen që i është bërë në Kosovë. Baresi është i bindur në kualitetin e talentëve kosovarë.

“Jemi sot në Kosovë pasi kemi bindjen e patundur në potencialin futbollistik të Ballkanit dhe të këtij vendi të ri. Kam dëgjuar se këtu ka talentë dhe potencial për futboll. Fëmijët pjesëmarrës në këtë kamp do ta kenë shansin që të stërviten duke përdorur metodat e stafit zyrtar kuqezi. Nëse veçohen talentë të shquar, do t’i ndjekim me vëmendje dhe do t’ua ofrojmë atyre mundësinë t’i bashkohen familjes së madhe Rossonere. Jam shumë i kënaqur që tash e tutje do të jemi prezentë edhe në Kosovë”, deklaroi Baresi i cili me Milanin ka fituar 6 kampionate të Italisë, 3 Liga të Kampionëve dhe 2 kupa ndërkombëtare.

Ministri Krasniqi takoi Baresin

Ndërsa ministri i Sportit, Memli Krasniqit, është takuar të dielën me ish mbrojtësin italian Franco Baresi. Të dy e shprehën kënaqësinë e tyre për takimin.

“Prezenca e zotëri Baresit është një vlerë e shtuar e këtij kampi dhe inspirim shtesë për të rinjtë që marrin pjesë. Unë shpresoj, pa e lënë anash faktin që pesë fëmijë do të shkojnë në Milan, ajo që është e rëndësishme, do t’i frymëzojë të rinjtë tanë duke u treguar se mundësitë për futbollin tonë janë duke u shtuar dhe se e ardhmja do të jetë më e mirë se e tashmja”, tha ministri Krasniqi në konferencën për shtyp pas takimit.

Të hënën, Baresi ka pasur takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë politikë, por edhe sportistë të njohur. Milan Junior Camp kishte filluar në Shqipëri në vitin 2008. Ndërsa, nga tash e tutje, ky eveniment dhe kjo mundësi ideale për fëmijë do të mbahet edhe në Kosovë.