Imami - La Russa: Të rrisim kapacitetet e Ushtrisë Shqiptare për të kontribuar në operacionet e paqes

Me ftesë të komandantit të Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s në Romë, gjeneral major Wolf Dieter Loeser, me datë 25 maj 2010 ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, bëri një vizitë zyrtare në këtë institucion të rëndësishëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ministrit Imami dhe delegacionit që ai kryesoi i uroi mirëseardhjen në këtë kolegj gjeneral major Loeser, i cili shprehu kënaqësinë e tij të veçantë për këtë vizitë dhe për takimin me ministrin shqiptar të Mbrojtjes. Ai shprehu vlerësimet e tij pozitive për bashkëpunimin e derisotëm midis Kolegjit të Mbrojtjes të NATO-s në Romë dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, si dhe vlerësoi lart përgatitjen e studentëve shqiptarë që kanë studiuar në këtë kolegj. Ministri Imami, pasi falënderoi komandantin e Kolegjit të Mbrojtjes në Romë, gjeneral major Loeser, për ftesën, vlerësoi rolin dhe punën e këtij kolegji për përgatitjen dhe kualifikimin e personelit të lartë ushtarak e civil, si dhe theksoi se, në kuadër të angazhimit të Ministrisë së Mbrojtjes për rritjen e nivelit të personelit të saj, do të vazhdojë edhe në të ardhmen bashkëpunimin me këtë institucion të rëndësishëm. Ai falënderoi gjeneral Loeser për vlerësimet pozitive që dha për progresin e bërë në Shqipëri dhe anëtarësimin e saj në NATO.
Gjatë vizitës në Kolegjin e Mbrojtjes të NATO-s ministri Imami mbajti edhe një leksion me temë: “Shqipëria dhe NATO, anëtarësimi dhe sfidat e së ardhmes”. Ministri Imami u prit në një takim të veçantë nga ministri i Mbrojtjes i Italisë, Ignazio La Russa. Ministri i Mbrojtjes së Italisë, La Russa, shprehu falënderime për kontributin e Shqipërisë në misionet e paqes, sidomos në Afganistan, ku trupat shqiptare veprojnë në kuadër të kontingjentit italian në Herat. Dy ministrat vlerësuan këtë bashkëpunim dhe shprehën dëshirën që kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Në të njëjtën kohë u ra dakord që të mundësohen rrugë të reja bashkëpunimi si në fushën e kontributeve në operacionet e paqes, rritjes së kapaciteteve të FA Shqiptare, si dhe në fusha të tjera të rëndësishme.








#