“Të gjithë qytetarët shqiptarë të ndihmojnë në vendosjen e formalitetit në vend”


Lindita Nikolla ne librariMinistrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka kërkuar nga të gjithë prindërit që të tërheqin kuponin tatimor në momentin që blejnë libra. Ajo ka theksuar se dhënia dhe marrja e kuponit është një detyrim ligjor dhe duhet respektuar nga të dyja palët, si nga shitësit, por edhe nga qytetarët e thjeshtë. Këto deklarata, ministrja e Arsimit i bëri gjatë inspektimit të një prej librarive në kryeqytet, ku u interesua në lidhje me zbatimin e ligjit për dhënien e kuponit tatimor. Sipas Nikollës, nisma e qeverisë në luftën kundër informalitetit do t’i japë fund konkurrencës së pandershme. Në ditët e fundit të të gjitha përgatitjeve që prindërit shqiptarë bëjnë për fëmijët e tyre në prag të vitit të ri shkollor, do të doja të përfitoja nga rasti t’u drejtohesha të gjithë prindërve shqiptarë, por jo vetëm, të gjithë qytetarëve shqiptarë, që të ndihmojnë në vendosjen e formalitetit në vend, në luftën që qeveria shqiptare i ka shpallur informalitetit. Kjo ndodh me një gjest fare të thjeshtë, që është tërheqja e kuponit tatimor. Për çdo qytetar të një shoqërie që aspiron Europën, është një gjë normale, është një detyrim”, tha ajo. Gjithashtu tha se duke luftuar informalitetin do të rriten të ardhurat dhe për rrjedhojë edhe investimet e pagat e mësuesve. “Në kushtet aktuale të vendit tonë kthehet si një mundësi reale për të përmirësuar jetën tonë, për të rritur, pse jo, pagat e mësuesve, për të pasur investime edhe në infrastrukturë, kopshte, çerdhe dhe shkolla. Ndaj një gjest fare i vogël, është një ndihmë e vyer për jetën tonë të përbashkët, sqaroi ministrja e Arsimit. Vetëm dy ditë na ndajnë nga nisja e vitit të ri shkollor dhe pjesa më e madhe e prindërve i kanë marrë librat e fëmijëve të tyre pa kupon tatimor. Nga një vëzhgim i bërë, rezulton se prindërit në momentin që blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre nuk pajisen me kupon tatimor, por në rastin më të mirë u jepet vetëm një fletë, ku tregohet çmimi dhe sasia e librave të blerë. Një prej përfaqësuesve të një librarie, i pyetur nga gazeta, ka sqaruar se kanë një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Financave, e cila, sipas tij, parashikon që ti pajisin klientët me një faturë format A5, ku të jetë shënuar kodi dhe të jetë e vulosur nga subjekti. Gjithashtu ai shton se shitja e librave është një proces, i cili zgjat vetëm 12 ditë dhe nuk ka asnjë vlerë që për kaq kohë të blejë disa kasa fiskale. Kuponin tatimor unë e jap me një letër, aty është numri i licencës, çmimi dhe sasia e librave. Unë kam 40 shkolla që kanë nga 200 nxënës dhe duhet të marr 40 kasa. Me marrëveshjen midis Ministrisë së Financave dhe asaj të Arsimit kemi rënë dakord që të përdoret fletë A5, që duhet të jetë me vulë dhe kod, të cilat ne i kemi. Nuk mund të vendosim kasa për 12 ditë. Për kaq kohë nuk ia vlen të blihet një kasë, se nuk i leverdis askujt, ka treguar ai.


Ky shkrim Ministrja Nikolla, prindërve: Merrni kuponin tatimor për librat u publikua me pare te Gazeta SHQIP Online.