Ndeshja miqësore ndërmjet përfaqësueses së Kosovës dhe Turqisë pritet të luhet në muajin gusht. Kjo është konfirmuar nga kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, pas një takimi që kishte zhvilluar me drejtues të Federatës Turke. "Biseduam me drejtuesit e futbollit në Turqi për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore. Ata na pohuan se ky takim është i pamundur përpara kampionatit evropian. Më tej, UEFA dhe FIFA caktojnë datat e lira të muajit gusht, ku shtetet paraqesin kundërshtarët me të cilët do të luajnë. Në këtë rast, Turqia do të kërkojë të luajë me ne (Kosovën), besoj se kjo do të realizohet", u shpreh Vokrri. Numri një i Federatës Kosovare të Futbollit është takuar me zv/trajnerin e përfaqësueses turke, Oguz Çetin, nga i cili ka marrë shumë përkrahje për këtë ndeshje.