Autori i Lajmit: Silvana Balliu
Qeveria miratoi dje buxhetin afatmesëm 2010-2012. Qeveria ka parashikuar të rrisë edhe për tre vitet e ardhshme pagat e rreth 104 mijë buxhetorëve. Në buxhetin e saj afatmesëm, është miratuar një zë i veçantë, i cili parashikohet të shkojë për rritjen e pagave. Gjatë viteve 2010-2012, zëri "Politikat e reja pagash", arrin në rreth 195 milionë dollarë në total. Për vitin e ardhshëm, rritja e pagave do të jetë e moderuar në krahasim me vitin aktual. Gjatë 2010-ës është parashikuar një fond prej 3 miliardë lekë, ose rreth 31 milionë dollarë për rritjen e pagave të administratës publike në vend, ndërkohë që buxheti total për pagat pritet të jetë rreth 55.4 miliardë lekë. Buxheti afatmesëm 2010-2012, parashikon një rritje në paga dhe investime për të gjithë institucionet, përfshi ministritë dhe ato të drejtësisë. Për Presidencën, buxheti i vitit të ardhshëm parashikon 91 milionë lekë për zërin e pagave dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.



Pagat



Fondi i shpenzimeve të personelit, pra paga dhe sigurimet shoqërore parashikohet të ruajnë nivelin prej 5.2 për qind të PBB-së, për periudhën 2010-2012. Këtu është përjashtuar rezerva për rritjen e parashikuar të pagave, e cila për vitin 2010 kap shifrën e 3 miliardë lekëve. Për periudhën 2010-2012 parashikohet një rritje mesatare e pagave në masën 5-7 për qind. “Niveli i transfertës për Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Institutin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor është rezultante e nivelit të të ardhurave që parashikohen për këto institucione dhe nivelit të shpenzimeve për këto institucione. Niveli i shpenzimeve për ISSH-ë parashikohet të arrijë në 80.9 miliardë lekë në 2010, ndërsa për vitin 2011 niveli i shpenzimeve për ISSH-ë parashikohet të jetë 84.1 miliardë lekë. Kurse për vitin 2012 niveli i shpenzimeve është parashikuar të jetë 87.5 miliardë lekë”, thuhet në projektvendimin e miratuar nga qeveria.



Shpenzimet kapitale



Shpenzimet kapitale për vitin 2010 do të qëndrojnë në nivelin prej 7.03 për qind të PBB-së, ku shpenzimet me financim të huaj do të rriten në 1.85 për qind të PBB-së. Shpenzimet kapitale do të vazhdojnë me ritme të larta në sektorët prioritarë të qeverisë, si infrastruktura, arsimi, shëndetësia dhe bujqësia e zhvillimit rural. Për vitin 2011 ato parashikohen 7.05 për qind të PBB-së, ndërsa në vitin 2012 kapin masën e 6.9 për qind të PBB-së. Me prioritet në listën e investimeve do të vazhdojnë të përzgjidhen ato investime, të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme, investime të cilat janë strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Qeveria ka parashikuar që shpenzimet totale buxhetore për periudhën 2010-2012 të jenë në masën e 411.7 miliardë lekë ose 32.02 për qind e PBB-së. Ndërsa shpenzimet korente parashikohen të jenë 24.29 për qind të PBB-së në vitin 2010, 24.05 për qind të PBB-së në 2011, dhe 23.76 për qind të PBB-së në 2012.



Ja shifrat



Kuvendi, fondi për

dy vitet që vijnë



Kuvendi do të ketë një fond pagash prej 533 milionë lekësh vitin e ardhshëm. Në vitin 2012 ky fond parashikohet të shkojë në 607 milionë lekë. Buxheti total i Kuvendit, në tre vite parashikohet të rritet gradualisht, ku në 2010-ën ai do të jetë 978 milionë dhe në vitin 2012 do të shkojë në rreth 1.1 miliard lekë. Këshilli i Ministrave do të ketë një fond pagash prej 182 milionë lekësh në 2010-ën, për të arritur në 209 milionë në vitin 2012-ën. Totali i buxhetit, ku përfshihen edhe investimet, do të jetë 393 milionë lekë vitin e ardhshëm, dhe në 2012-ën do të shkojë në 441 milionë.







Ky lajm është publikuar: 19/11/2009