Në shërbim të atdheut. Misioni i vështirë i të qenit ushtarak. Largësia nga familja, lindja e djalit Alkeo tri ditë më parë dhe misionet delikate me kokë në torbë. Bisedë me komandant toge Ramiz Tola, pak orë para se ai dhe burrat e tij komando, të nisen për në Irakun e trazuar nga dhuna.


Janë copëza jete që njeriu nuk i heq dot kurrë nga mendja. Të gjithë kalojmë vështirësi, por ato që heq një ushtarak në jetën e tij kanë të bëjnë me shumë fate njerëzish njëherësh. Komandant Ramiz Tola, nuk e harron kurrë misionin e parë në Irak, kur burrat e togës që ai drejtonte ranë në minë. Po kështu nuk harron edhe misionin e dytë, kur një nga komandot e ekipit të tij, u godit nga një cifël predhe murtaje, që për fat të mirë nuk rezultoi fatale për jetën. “Ishin momente dramatike”, kujton jo me pak dhimbje. Sot në mesditë së bashku me burrat e tij, komandant Tola duhet t’i hipë avionit për të nisur një tjetër mision të vështirë në Irakun e përfshirë nga kaosi dhe dhuna. Atdheu e thërret në detyrë, dhe ai duhet të bindet. Së bashku me 23 komando, pjesëtarë të togës, komandanti duhet të përshëndetet me familjen për t’u kthyer në gjirin e saj, pas 6 muajsh.


Për komandant toge Ramiz Tola, ky i sotmi është misioni i katërt në tokë të huaj. Në vitin 2001, ai ishte pjesë e trupave paqëruajtëse shqiptare në Bosnjë.


Tri vite më pas, atij iu caktua detyra e komandantit të togës, në misionin e tretë paqeruajtës shqiptar, që shkelte Irakun. “Bosnja, -kujton -, ishte lule para misionit në Irak”. Misioni i tij i parë në Irak, për pak sa nuk u kthye në tragjedi për togën që ai drejtonte. Kujton se kishin kalur pjesën më të madhe të shërbimit dhe mezi prisnin të ktheheshin në atdhe. Kishin mbetur diçka më pak se dy muaj nga kthimi dhe ajo që nuk e prisnin kurrë, ndodhi. “Dita më e vështirë ka qenë kur makina me të cilën toga jonë patrullonte në rrugët e Mosulit ra në minë. Ishte një moment argëtimi midis kolegësh ku askush nuk mendonte se do të ndodhte një ngjarje e tillë. Disa djem irakienë na përshëndetën me duar, ndërsa pas pak minutash makina u shkund nga vendi”. Kishin udhëtuar vetëm 300 metra, larg asaj përshëndetje të përzemërt. Edhe sot komandant Tola është në mëdyshje nëse të rinjtë dashamirës, ishin ose jo në dijeni të minës së vendosur në krah të rrugës. Ajo që mban mend nga ai moment është pluhuri i madh që u përhap në ajër si edhe shokët e shtrirë sakaq në tokë të shtyrë nga presioni i shpërthimit.


“Pasi u qetësua disi situata, pashë shoferin që kishte vënë kokën mbi timon. E shkunda. Ai u përmend dhe më tha “nuk kam gjë por shiko ushtarët prapa”. Ishte vështirë të dilnim. Makina ishte katandisur si mos më keq. Pasi ra pluhuri dhe u qetësua situata pashë një amerikan, të shtrirë në tokë. Njërin prej ushtarëve tanë forca e madhe e presionit e kishte hedhur poshtë në breg, ndërsa një ushtar tjetër që ishte plagosur më rëndë, i ishte çarë arteria në qafë dhe ndodhej në gjendje kome”. Këto janë momente kur njeriu duhet të vendosë shpejt. Koha në të tilla situata është flori. Mëdyshja mund të jetë fatale. Ajo që duhet të bëjë një komandant është të jetë i bindur në vetvete për atë që duhet të kryej. “Morëm një termus akulli, ku mbanin ujë të ftohtë dha ia hodhëm ushtarit amerikan. Kjo për ta përmendur. Ai u çua, fashoi veten dhe më pas ndihmoi ushtarët shiqptarë të plagosur, ku më rëndë ishte Erigert Çela. Në këtë moment erdhën në ndihmë edhe makina të tjera si dhe helikopteri”. Për fat të mirë toga e komandant Ramizit, ia hodhi paq.


Në fakt duhet pranuar se trupat komando shqiptare, sa herë që kanë shkuar në Irak, kanë marrë me vete edhe fatin. Nëse në trupat amerikane numërohen me qindra ushtarë të vrarë dhe të plagosur, trupat shqiptare janë kthyer kurdoherë shëndosh e mirë, përjashto incidente si ajo e 27 korrikut të vitit 2004, ku mbetën të plagosur tre komando tanët. Komandant Tola e shpjegon këtë fakt me vetë përgatitjen dhe shkallën e lartë të marrjes së masave të sigurisë nga komandot shqiptare, por edhe me fatin. “Na ka rujt zoti”, thotë. Por jo gjithçka varet nga masat që mund të marrësh. Në misionin e tij të dytë, për fat të keq komandant Tola, pati sërish një ushtar të plagosur në togë. Ervin Korra, u lëndua nga një cifël predhe ndërsa qëndronte në pragun e dhomës së tij, brenda bazës ushtarake në Mosul. Bombardimi me predha murtaje është kthyer në ritual të zakonshëm për këtë bazë të ndarë midis trupave amerikane dhe shqiptare. “Po bëheshim gati të luanin futboll.


Në momentin që rreshtova togën, filluan të binin predhat e para. Në fillim dukeshin të ishin larg, por më pas u afruan drejt bazës. Ervini, po qëndronte në pragun e dhomës, pa e menduar se një nga predhat do të binte pikërisht aty”. Është ky momenti i dytë më i vështirë që kujton komandant Tola, gjatë pjesëmarrjes në misionet paqeruajtëse në Irak. Sot ai do të udhëtojë për të tretën herë në tokën e kamikazëve. Por këtë herë me një gëzim të madh. Në familjen e tij prej tre ditësh ka trokitur një anëtar i ri, i cili quhet Alkeo.


Është trashgimtari i famijes Tola. Komandant Ramizi është i lumtur. Pas dy vajzave, Kristinës 8-vjeçare dhe Ketjonës 6-vjeçare, bashkëshortja e ka gëzuar me një djalë king. Ardhja e fëmijës në jetë është ogur i mirë për një baba ushtarak, që duhet të përballet me vështirësi të shumta, sidomos në Irakun e trazuar. “Tani që Alkeo lindi jam shumë herë më i qetë. Sigurisht jam shumë i lumtur, pasi nëse do të nisesha do të isha gjithë kohën në merak”. Për një ushtarak largësia është gjithmonë vrasëse. Çfarëdo që të ndodhë, larg qoftë edhe fatkeqësi familjare, ai nuk ka të drejtë të kthehet pranë të afërmve, pa përmbushur detyrën. Më e vështirë është kur lë pas në shtëpi gruan dhe fëmijët. Mungesa e figurës atërore ndihet gjithmonë.


Ka vendime në jetë të cilat nuk mund të zgjidhen kurrë vetëm. “Ushtarakët shqiptarë kanë moral të fortë. Por sidoqoftë edhe ata njerëz janë. I merr malli për familjen, gruan, të dashurën”. Vetë komandant Tola, ka kaluar çaste të tilla delikate. Në misionin e dytë në Irak, ai humbi xhaxhain. Nuk pati mundësi t’i hidhte një grusht dhe. E mësoi lajmin shumë vonë, ndërkohë që detyra në krye të togës shqiptare në Mosul, nuk e lejonte të kthehej në atdhe. Ajo që e ndjen më shumë mungesën e babait në misionet e gjata paqeruajtëse është Kristina, që ndjek këtë vit klasën e dytë. Vogëlushja ka përjetuar çdo largim të babait. “E shikoj edhe këto ditë. Megjithëse nuk shprehet, apo qan, më shikon disi ndryshe nga ditët e tjera”. Po kështu edhe Ketjona, e cila nuk ia ndan sytë të atit për asnjë moment. Të qenit me rrobë ushtarake është sakrificë dhe forcë vullneti. Ndahesh nga gruaja, fëmijët, babai, nëna! Por tashmë komandant Ramiz Tola mund të niset i qetë në misionin e tij në shërbim të atdheut. Ai ka lënë në shtëpi një tjetër komandant, i cili do të marrë drejtimin në mungesë të tij. Alkeo është forca dhe dashuria që do t’ia bëjë ditët më të lehta, sigurisht pa harruar këtu edhe bashkëshorten dhe dy vajzat simpatike.


Dashuri në kohë lufte


Ky që niset sot është kontigjenti i 12-të i trupave paqeruajtëse shqiptare në Irak. Përgjatë 5 vitete të fundit, në rrugët e Mosulit dhe tani të Bagdatit kanë patrulluar mbi 1 mijë ushtarë profesionistë të përgatitur në repartin special të Zall-Herrit në Tiranë. Deri më sot, komandot shqiptarë janë kthyer për fat të mirë pa humbje në njerëz. Komandant toge Ramiz Tola, ia dedikon këtë fakt përgatitjes së trupave tanë si edhe shkallës së interpretimit të situatave të vështira. Po kështu një rol të madh në këtë faktor ka luajtur edhe marrëdhënia e krijuar nga komandot tanë me popullsinë vendëse. “Me irakienët kemi marrdhënie shumë të mira.


Ata kanë zakon të mos i zbresim femrat nga makina, ndërkohë që ne nuk insistojmë në vendimin e tyre, kjo pasi ata e quajnë ofendim një xhest të tillë. Ndryshe është mentaliteti amerikan. Ata nuk duan t’ia dinë për një gjë të tillë. Flas për misionin e parë se në të dytin nuk kishim marrëdhënie jashtë baze”. Tashmë roli i trupave shqiptare të vendosura në Mosul, nuk është patrullimi në qytet, por shërbimi në bazë si edhe ruajtja e aeroportit civil në qytet. “Ruajtja e aeroportit është më e vështirë, pasi kamikazi vjen e përplaset në postobllok.


Për fat të mirë deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur”. Por komandot shqiptarë kanë marrëdhënie shumë të mira edhe me amerikanët. Ata jo vetëm patrullojnë, por edhe hanë, luajnë futboll dhe ndajnë bashkë gëzimet. Komandant Tola na thotë se edhe pas përfundimit të shërbimit në Irak, komandot tanë, sigurisht ata që dinë anglisht, mbajnë lidhje me amerikanët. Madje ka pasur edhe nga ata amerikanë që për shkak të miqësisë i kanë tërhequr ushtarët tanë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu duket se ndikon edhe fakti, se shpeshherë në media qarkullon togfjalëshi “Shqiptarët janë miqtë e amerikanëve në Ballkan”.


Të jesh profesionist


Roli i komandantit të togës është gjithmonë delikat. Ai duhet të kujdeset për të gjitha shqetësimet që ka në grupin e tij. Çdo mëngjes gjëja e parë që bën komandant Ramiz Tola është dhënia pa tepricë e këshillave. “Këshilla e parë që jap është marrëdhënia me palën tjetër, që nuk janë vetëm amerikanë. Tjetra është zbatimi në mënyrë të përpiktë i rregullave të sigurimit teknik. Në mision armatimi është gjithmonë në krah ose në kokën e krevatit, dhe jo në depo. Çdo moment je në krye të detyrës”.


Përsa i përket marrëdhënieve midis ushtarëve, komandant Tola, thotë se nuk ka pasur kurrë ngjarje të rënda, por kur ka grindje mundohet të ndërhyjë për të ulur gjakrat, të pajtohen me mirëkuptim. Një ushtar profesionist me shërbim në Irak, paguhet 85 dollarë në ditë, ndërsa kjo shifër në misionet e para ka qenë më e lartë, dhe shkonte në 100 dollarë dita. Por për komandant Tola, kjo shifër nuk është për t’u marrë shumë parasysh.


Më e rëndësishme sipas tij është rroga mujore që marrin ushtarët profesionistë në Shqipëri, e cila duhet të ndryshojë për t’i çuar forcat e armatosura në vendin që meritojnë në shoqëri.