Misioni europian për asistencë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, EURALIUS, i ka paraqitur Ministrisë së Drejtësisë disa kundërshti dhe sugjerime për ligjin e Konferencës Gjyqësore. Në nenin dy, i cili bën fjalë për kompetencat, misioni rekomandon që të shtohet një pikë e), me një frazë të përgjithshme si "çdo kompetencë tjetër të parashikuar në këtë apo një ligj tjetër" siç bëhet shpesh me ligjet shqiptare. Në nenin katër të projektligjit, që bën fjalë për mbledhjen e përgjithshme e KGJK-së, EURALIUS nuk bie dakord me paragrafin e dytë të këtij neni. "Sipas kuptimit tonë, KGJK është një organ i pavarur i pushtetit gjyqësor dhe gjyqtarët që punojnë për institucione të tjera nuk janë pjesë e pushtetit gjyqësor dhe nuk janë duke ushtruar detyrën e gjyqtarit". Në nenin 6, "këshilli ekzekutiv i KGJK-së", EURALIUS sugjeron që anëtarët e Këshillit Ekzekutiv të zgjidhen me shumicën e votave në prezencë të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve. Nuk duhet pasur anëtar zëvendësues, pasi nuk mund të njihet me një mbledhje të mëparshme. EURALIUS mendon disa ndryshime edhe në nenin 8, për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së. "Varianti i parë reflekton më mirë me Kushtetutën, pra nëntë gjyqtarë të të gjitha niveleve, pesë të shkallës së parë, tre të apelit dhe një të Gjykatës së lartë. EURALIUS mendon se periudha e zgjedhjeve të anëtarëve të KLD-së të jetë 90 ditë, nga 45 ditë që ka qenë në të kaluarën. Dhe propozohet që mbledhja të mos thirret 30 ditë pas vendit vakant në KLD, por menjëherë", thuhet në rekomandimin që ka shkuar në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë. Në nenin 9, që bën fjalë për marrëdhëniet e të zgjedhurve të KLD-së me KGJK-në, misioni mendon se duhen përcaktuar disa përkufizime më të qarta për paraqitjen e mocionit të mosbesimit. "Për mendimin tonë, neni duhet të parashikojë qartë se kur mund të paraqitet ky mocion, në çfarë rastesh dhe për cilat arsye. Duhet një referencë e qartë te dispozitat e ligjit të KLD që parashikojnë mbarimin e mandatit të anëtarit të KLD-së", deklarojnë ekspertët ndërkombëtarë, ndërsa kanë dhënë mendime edhe për komisionet e KGJK-së dhe kuotizacionet.



S.Çobo